Në një botë kaotike dhe plot stres, njerëzit takohen, lidhen dhe ndahen me ritëm të shpejtë.
Por për 31-vjeçaren amerikane Jacquelyn Ades, refuzimi nuk është i pranueshëm, dhe dënimi për refuzuesin është jeta e tij e shndërruar në një ferr të vërtetë.
Duket skenari i ndonjë filmi thriller, por është e vërteta e ndodhur një biznesmeni të mbetur anonim.
Pas një takimi me estetisten nga Arixona që kishte njohur në rrjetet sociale, ai vendosi të mos vazhdonte marrëdhënien.
Ndoshta biznesmeni single kishte nuhatur që diçka nuk shkonte me vajzën, që fotografitë e saj sensuale nuk përkonin me pamjen e vërtetë, por sidomos që karakteri i saj tejet posesiv nuk bënte për të.
Pas mohimi të një takimi të dytë, Jacquelyn filloi t’i shkruajë për të kuptuar shkaqet, dhe kjo është më se normale.
Por asnjë nuk do të imagjinonte se ajo do dërgonte një mal me mesazhe për të gjorin burrë, rreth 500 mesazhe çdo ditë, për 10 muaj rresht.
Autoritetet policore nuk i besuan syve kur pas denoncimit të të përndjekurit, iu deshën të lexonin rreth 160mijë mesazhe të ndryshme, që kalonin nga sqarimet, tek fotografitë ndjellëse dhe deri në ofendime dhe kërcënimet me jetë, “bëj çfarë te duash por mos më braktis, ose do të vras, do të bëj sushi me zorrët e tua” dhe marrëzira të tilla.
Përndjekja nuk ishte më vetëm virtuale, disa herë ishte paraqitur te puna duke thënë që ishte bashkëshortja, ajo kishte arritur edhe të futej në shtëpinë e tij, vetëm e vetëm për të bërë një banjë në vaskë, aty ku e gjeti edhe policia duke e arrestuar.
Tani për Jacquelyn priten disa vite qetësi në burg ku mund të reflektojë, dhe të ndihmohet, mbi obsesionin e saj të sëmurë. Mundësisht pa një telefon në dorë.