Kryesore Biznesmeni spanjoll që u sulmua nga Kokëdhima rikthehet në Shqipëri për një...

Biznesmeni spanjoll që u sulmua nga Kokëdhima rikthehet në Shqipëri për një arsye fisnike

Shqiptarët e njohën biznesmenin Eugenio Galdon dhe familjen e tij pas videos me pronarin e ish-lokalit “Panorma” në Porto Palermo me të cilin u përfshi në një konflikt të dhunshëm bashkë me familjen.

Galdon e ka lënë tashmë pas këtë çështje dhe do të vijë për të dhënë kontributin e tij pas tërmetit fatal të 26 nëntorit që shkaktoi 52 viktima. Biznesmeni Galdon premton se do të ndërtojë një shkollë të dëmtuar nga tërmeti. Ai thotë se kontributi i tij dhe i familjes do të vijë përmes Kryqit të Kuq, dhe në vizitën e tij në Shqipëri do marrë me vete edhe djemtë e tij.

“Unë do të ndërtoj një shkollë të zonës së dëmtuar nga tërmeti. Ka shumë mënyra të ndryshme se si  ju mund të kontribuoni për vendin tuaj. Shqipëria është një atraksion i vërtetë dhe ne kemi ndërmend të kthehemi shumë shpejt dhe të vizitojmë vendin tuaj të bukur”, ka thënë biznesmeni spanjoll.

Lajmin e ka bërë me dije ministri i Turizmit, Blendi Klosi i cili është takuar në Madrid me biznesmenin.

Postimi i ministrit Blendi Klosi:

Në Madrid, mëngjesi me Eugenio Galdon, që nga një incident i papranueshëm në verë, është shndërruar tashmë në mikun e Shqipërisë.

“Sa më shumë kalon koha, aq më shumë Shqipëria fiksohet në memoriet tona si vendi i një panorame natyrore të jashtëzakonshme dhe njerëzve mikpritës. Mihal Kokëdhima nuk përfaqëson as Shqipërinë dhe as shqiptarët”- thotë Eugenio.

Familja Galdon do të rikthehet në Shqipëri, por këtë herë në një tjetër cilësi: kontribuesit për rindërtimin e një shkolle të dëmtuar nga tërmeti. Kontributi i kësaj familje, do të vijë përmes Kryqit të Kuq dhe vetë djemtë e familjes Galdon do të jenë prezentë në vendin tonë.