Bllokada 1-mujore në Angli e njoftuar nga kryeministri Boris Johnson këtë fundjavë mund të zgjatet, teksa Britania lufton për të frenuar valën e dytë të epidemisë së COVID-19.
Deklarata është bërë nga një ministër i kabinetit qeveritar. I pyetur nga mediat nëse bllokada mund të zgjatet përtej fillimit të dhjetorit, ministri i Ambientit, Michael Gove u përgjigj “po”.
“Ne do t’i marrim vendimet duke u bazuar gjithmonë në interesin kombëtar dhe tek provat dhe të dhënat më të mira që kemi”, tha Gove, Sekretar Shteti për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet Rurale.
Kryeministri Johnson njoftoi të shtunën se bllokada në Angli do të fillojë pas mesnatës së 5 nëntorit dhe do të zgjasë deri më 2 dhjetor.
Mbretëria e Bashkuar, që ka numrin më të lartë të vdekjeve në Evropë nga COVID-19, po përballet me mbi 20 mijë raste të reja koronavirusi në ditë dhe shkencëtarët kanë paralajmëruar se skenari më i keq me 80 mijë të vdekur mund të tejkalohet. Deri më tani, vendi ka regjistruar 46 mijë e 555 viktima.