Politika Bllokohet sërish ngritja e Gjykatës Kushtetuese, 6 kandidatë nuk plotësonin kriteret, 3...

Bllokohet sërish ngritja e Gjykatës Kushtetuese, 6 kandidatë nuk plotësonin kriteret, 3 u tërhoqën

Këshilli i Emërimeve në drejtësi ka shqyrtuar 9 kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga të cilët asnjëri nuk është kualifikuar për këtë pozicion.

KED bën me dije se, “pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi përfundimin e procedurës së verifikimit, vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes për shkak të tërheqjes së tyre nga kandidimi, të kandidatëve Klodian Rado, Prel Martini dhe Envi Hicka, për vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës, në datën 27.09.2019”.

Ndërkohë, sipas KED 6 kandidatë e tjerë për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese: Besnik Muçi, Ardita Alsula, Shaqir Hasanaj, Vjosa Bodo, Vasil Bendo dhe Dedë Kasneci është vendosur ndalimi, pasi kanë pasur mangësi të një apo disa kushteve të parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji.

Ky vendim i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vonon sërish ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi Kuvendi dhe Presidenti duhet të shpallin sërish vakancat, më pas të hapin garën për kandidaturat dhe t’ia dërgojnë ato KED.

Aktualisht Gjykata Kushtetuese ka 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë, përfshirë këtu edhe Vitore Tushën të cilës i ka mbaruar mandati por vijon të qëndrojë në detyrë.