Shqipëria ka të ngjarë të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave nga të gjitha vendet anëtare në mbledhjen e Këshillit të BE-së në tetor.
Sipas draftit të siguruar nga agjensia e lajmeve “Bloomberg”, Bashkimi Europian do të njoftojë hapjen e bisedimet të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë takimit të ministrave të punëve të BE në Luksemburg në 15 tetor.
Bloomberg mbështetet për këtë konstatim tek një draft-deklaratë e cila qarkullon në Bruksel prej së premtes e që ka rënë në dorë të medias. Sipas Bloomberg, në komunikatë thuhet: “Në vazhdën e progresit të shënuar sa i përket reformave, Këshilli i Ministrave të BE vendos hapjen e negociatave të anëtarësimit me qeverinë e Tiranës dhe Shkupit”.
Por, ndërsa teksti mund të ndryshojë, shton Bloomberg, një draft-deklaratë e mëhershme, e parë gjithashtu nga media, nuk e përfshinte rekomandimin për çeljen e bisedimeve.
Bloomberg kujton se kundërshtitë e Francës, Holandës, Gjermanisë dhe Danimarkës bënë që dy vendet të mos e merrnin dritën jeshile në qershor. Edhe pse negociatat zgjasin për disa vite, e madje dhe dekada si në rastin e Turqisë, nisja e procesit do të ishte një fitore për qeverinë e Maqedonisë së Veriut, vijon më tej media amerikane.