Krzysztof Piatek ia doli të rrëmbejë vëmendjen e të gjithëve që në debutimin e tij me fanellën e Milanit. Iu deshën 27 minuta lojë dhe 2 gjuajtje në portë për të shënuar 2 herë ndaj Napolit dhe për të çuar Milanin në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.
Me këtë dopietë polaku kap shifrën e 21 golave në të gjitha kompeticionet në këtë sezon, 19 me fanellën e Genoas dhe 2 me Milanin në 23 ndeshje të luajtura. Nëse në golin e parë shfrytëzoi gabimin e mbrojtësit Maksimovic dhe tregoi nuhatje të artë prej sulmuesi, në golin e dytë ishte një klas i vërtetë.
Përballë kishte një mbrojtës të një kalibri botëror si Kalidou Koulibaly dhe para tij pati stopim perfekt, ndjenjën e pozicionit, kokën lart, shpejtësinë në gjetjen e një pike për të goditur dhe e djathta vrasëse.
“Në 20 metra të fundit është vdekjeprurëse“, – tha Gattuso, i cili është i lehtësuar nga ardhja e tij dhe largimi i të pakënaqurit Higuan.
Në shifrat e “pistoletës” polake është 1 gol në 89’-të minuta lojë. Në top-5 ligat më të forta të Evropës Piatek po konkurron me sulmuesit më të mirë të klubeve elitare. Më mirë se ai kanë bërë vetëm tre lojtarë deri tani: Lionel Messi udhëheq me 26 gola, pastaj miku i tij Robert Lewandowski me 24 dhe i treti është Mbappe me 22 gola.
Polaku ia ka dalë të lërë pas vetes sulmues të konfirmuar si Neymar, Cavani, Kane, Ronaldo apo edhe Salah. Objektivin e shpalli që në prezantimin me fanellën e Milanit: “Kam lindur gati”, theksoi polaku, duke e bërë të qartë se tani konkurron pa frikë me të gjithë yjet e Europës.