Kryeministri i Britanisë Boris Johnson paraqiti këtë të diel masat që qeveria do të marrë në periudhën në vazhdim.
Ai vuri theksin në pajisjen me produkte ushqimore për çdo qytetar si dhe shpërndarjen e tyre nga qeveria.
Qeveria në bashkëpunim me supermarketet do të sigurojë shpërndarjen që pritet të fillojë fundjavën e ardhshme.
Gjithashtu Johnson shprehet se njerëzit janë të lirë që të dalin nëpër parqe, por vetëm të respektojnë distancën sociale.
I pyetur nëse masat e marra do të ashpërsohen në ditët në vijim ai shprehet: “Përgjigja duhet gjithmonë të udhëhiqet nga shkenca. Ne do të ndërhyjmë në momentin që ato mund të kenë efektin maksimal.”
Ai gjithashtu thotë se efektshmëria e masave drastike dhe izolimit që kanë ndërmarrë vendet e tjera në Evropë nuk dihet ende.
Izolimi duhet të vendoset në momentin e duhur. Këto masa do të ndërmerren vetëm nëse qytetarët nuk i zbatojnë rregullat e distancimit të vendosura deri më tani.