“Nëse me të vërtetë më duhet të bëj një parashikim, nga ajo që kemi parë deri më tani në këtë pandemi, ka të ngjarë që do të kemi nevojë për vaksinime vjetore për të ruajtur një nivel të lartë mbrojtjeje kundër Covid”, tha Albert Bourla, drejtori ekzekutiv i Pfizer për BBC, ndërkohë që në Perëndim, si edhe në Shqipëri, ka nisur administrimi i dozës së tretë të vaksinave kundër koronavirusit, e quajtur ndryshe si “booster” në anglisht.
Një tjetër tregues në mbështetje të deklaratës së tij vjen nga njoftimi i fundit i qeverisë britanike dhe ministrit të Shëndetësisë, Sajid Javid: Mbretëria e Bashkuar ka blerë dhe rezervuar 114 milionë doza të tjera të vaksinave Pfizer dhe Moderna kundër Covid, të cilat gjithashtu mund të përditësohen.
Varianti i fundit Omicron po shkakton shqetësim të thellë në mbarë botën. Një sinjal se, tashmë po përgatitemi për administrimin e një doze të katërt dhe ndoshta të pestë, nëse do të jetë e nevojshme.
Për momentin, ky është skenari më i mundshëm, sipas Bourla dhe ekspertëve të tjerë.
Pfizer dhe Moderna po punojnë tashmë për një përditësim të vaksinave të tyre pas variantit Omicron, e cila mund të jetë gati, në rastin më të mirë, në 100 ditë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, qeveria ka njoftuar tashmë se ka shkurtuar kohën e pritjes ndërmjet administrimit të dozës së dytë dhe të tretë nga “të paktën gjashtë muaj” në “të paktën tre muaj”.
Në një intervistë për BBC, (edhe pse ishte regjistruar përpara se varianti Omicron të shfaqej në botë), 60-vjeçari Bourla shtoi se “vaksinat kanë shpëtuar miliona jetë” dhe iu përgjigj atyre që e konsiderojnë biznesin e Pfizer “imoral” (rreth 30 miliardë euro në doza të shitura vetëm këtë vit) dhe të prodhuesve të tjerë të vaksinave: “Ne kemi shpëtuar miliona jetë. Kemi shmangur triliona dëme në ekonominë botërore. Ishte demonstrim i zgjuarsisë njerëzore”
Bourla foli gjithashtu për lajmet e rreme për vaksinat Covid, jo vetëm për Pfizer: “Kam lexuar gjithçka në internet. Kur dikush në Twitter shkroi se jam arrestuar nga FBI, unë qesha. Por kur lexova se gruaja ime kishte vdekur nga vaksina, këtu, u zemërova shumë. Problemi është se këto mashtrime kanë një efekt negativ tek njerëzit që nuk janë ideologjikisht kundër vaksinës, por që mund të tremben. Nëse nuk vaksinohen, përveç shëndetit në rrezik, mund të rrezikojnë edhe të dashurit e tyre”.