Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, ish-ministrja e Integrimit nga radhët e PD-së, Majlinda Bregu, ishte e ftuar “Në Kurthin e Piter Pan”, në Tv Klan, mbrëmjen e së hënës, ku nuk u shpëtoi as pyetjeve lidhur me marrëdhënien e saj me kryeministrin Rama dhe liderin e opozitës Basha.
Pyetjes se kë ka më shumë shok, Bregu, e cila pas disa përplasjeve me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u la jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit 2017 tha: “Luli më doli shok i keq, kurse Edi Ramën nuk e kam pasur shok kurrë”.
Ndërsa sa u përket marrëdhënieve mes deputetëve të forcave të ndryshme politike në parlament, Bregu tha: “Atje në parlament në fakt, ashtu është zihen, nganjëherë i thuaj edhe gjyshit, mos ta marrë me shumë emocion se bëjnë edhe kot, se nuk zihen gjithmonë prej vërteti. Se po të dalësh tek kafja e parlamentit rrinë të gjithë bashkë. Ata që i shikon të zënë në parlament, kur dalin tek kafja, bëjnë dhe shaka dhe rrinë të gjithë bashkë. Kështu që nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme, por me të vërtetë unë jam shumë dakord me ty dhe kërkoj ndjesë sepse e kam bërë edhe vetë shpesh herë, me një gjuhë paksa më të vrazhdë se sa duhet. Mirë është që njerëzit të flasin dhe të mos zihen, sepse ashtu ke mundësi edhe të dëgjosh njëri-tjetrin, edhe t’i përgjigjesh, siç më the ti mua, ‘prit se s’kam mbaruar’.”
A dëshiron Majlinda Bregu të bëhet kryeministre?
Sapo u ngjit në skenën e “Në kuthin e Piter Pan”, në Tv Klan, Majlinda Bregu iu përgjigj pyetjeve të Eno Bimblit. Ai donte të dinte nga ajo nëse do të dëshironte që një ditë të bëhej kryeministre.
Teksa tha se puna që bën aktualisht si Sekretare e Përgjithshme e Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit është tejet e rëndësishme, zonja Bregu u shpreh se për të qenë Kryeministre nuk mjafton vetëm dëshira.
Dëgjova Alketën duke thënë që ti je lidere. Një ditë do të donit të ishit Kryeministre?
“Unë kam ikur po bëj një punë tjetër tani, që është pak më e rëndësishme sesa vetëm Kryeministre. Nuk e bëj dot, pastaj nuk mendoj se mjafton vetëm dëshira për të qenë Kryeministre. Duhet të dish ta bësh, sepse qejf mund të kenë shumë, por nuk e bëjnë dot të gjithë”.
Po nuk është edhe aq, sepse populli e zgjedh kryeministrin…
“Ai është halli, të të zgjedhë populli, se po nuk do të zgjodhi çfarë do bësh, bëhesh dot me zor pastaj? Nuk bëhesh…”
Domethënë thotë kryeministri diçka? Do e zgjedhë populli a do të ndodhë apo jo, nuk e zgjedh Kryeministri.
“Jo, jo, kryeministri duhet të dëgjojë, po të jetë i mençur duhet të dëgjojë se çfarë thotë populli sigurisht”.
Juve jeni dakord që na thotë Edi Rama prezantuesit/gazetarët janë kazanë?
“Unë kam punuar gazetare për disa vite dhe kam shumë miq gazetarë, që janë shumë të mirë. Edhe dinë të shkruajnë mirë, edhe dinë të bëjnë një lajm shumë mirë dhe dinë të jenë të vërtetë. Po ka ca të tjerë, që nuk janë gazetarë, por venë ca si gjoba, edhe ata janë më llum se kazani në fakt. Ka disa që e kanë bërë pis…”