Extra Brenda konfliktit Will Smith-Chris Rock, që kulmoi me shuplakën në mbrëmjen Oscar

Brenda konfliktit Will Smith-Chris Rock, që kulmoi me shuplakën në mbrëmjen Oscar

Publiku u shokua gjatë mbrëmjes së çmimeve Oscar nga goditja me shuplakë që Will Smith i bëri prezantuesit Chris Rock, i cili kishte komentuar gruan e aktorit 53-vjeçar, disa minuta më parë.

Të gjithë u habitën nga ky gjest i papritur përpara syve të qindra milionë njerëzve, por kjo nuk ishte hera e parë që Will Smith konfliktohet me komedianin Chris Rock. Në fakt, “fërkimet” mes tyre kanë 5 vjet që kanë nisur.

Kur po prezantonte çmimet Oscar të vitit 2016, Chris Rock bëri për herë të parë një batutë mbi gruan e Smith, Jada Pinkett Smith, duke u tallur me faktin që ajo bojkotoi ceremoninë për shkak se bashkëshorti i saj nuk u nominua për rolin në filmin “Concussion”.

“Jada u nxeh, tha që nuk do të vijë në ceremoni. Bojkotimi i mbrëmjes Oscar nga ana e Jadas është njësoj sikur unë të bojkotoj një natë me Rihanna. As nuk jam i ftuar në një natë të tillë”, thonte atëherë Chris Rock.

Komediani i hodhi benzinë zjarrit me një koment në rrjetet sociale, në vitin 2018, ku foli për martesën e mëparshme të Will Smith, i cili i kishte uruar ditëlindjen ish-gruas së tij, Sheree Zampino.

“Uau, ke një grua shumë të mirëkuptueshme”, shkruante Chris Rock si përgjigje ndaj urimit të ditëlindjes që Smith kishte bërë.

Ndërsa dje, 53-vjeçari Will Smith u ngjit në skenë dhe goditi komedianin, i cili sapo kishte bërë një batutë për kokën e rruar të gruas së Smith, Jada Pinkett Smith.

“Mezi po pres për filmin GI Jane 2”, tha Rock, duke iu referuar filmit të famshëm, ku Demi Moore interpreton e qethur shumë shkurt.

Jada ka disa vite që vuan nga rënia e flokëve dhe duket se Will Smith nuk e pranoi një shaka të tillë.