Pas refuzimit të marrëveshjes së rakorduar mes kryeministres Theresa May dhe Brukselit, e opsionit tjetër të shkëputjes së Britanisë së Madhe nga BE-ja pa marrëveshje një ditë më parë, dita e tretë impenjative në Dhomën e Komunëve i pa ligjvënësit britanikë të votonin edhe kundër opsionit për mbajtjen e një referendumi të dytë mbi “Brexit”-in.
Këtë të enjte, deputetët britanikë votuan masivisht kundër shtyrjes së “Brexit”-it në mënyrë që të zhvillonin një referendum të dytë, duke shuar kështu shpresat e aktivistëve proeuropianë që donin të pyesnin sërish popullin për këtë vendim tejet të rëndësishëm.
Tri vite pasi Britania votoi për t’u shkëputur nga Bashkimi Europian, vetëm 85 deputetë votuan në favor të amendamentit dhe 334 kundër, me shumicën e laburistëve opozitarë që abstenuan në këtë votim, ndërsa vetëm 18 prej tyre votuan kundër.
Në fund të ditës, ligjvënësit britanikë votuan edhe kundër marrjes së kontrollit të “Brexit”-it nga qeveria e drejtuar prej Theresa Mayt, e po ashtu edhe kundër amendamentit laburist për gjetjen e një qasjeje të re ndaj kësaj çështjeje.
Vetëm pak çaste para votimit për referendumin e dytë kishte komentuar presidenti amerikan, Donald Trump, i cili shprehej se ajo që trumpetohej si një zgjidhje nga shumë britanikë, të cilët besonin se përpjekja e parë shkaktoi pikërisht kaosin politik të ditëve të sotme, do të ishte diçka e padrejtë.
“Nuk mendoj se një tjetër votim do të ishte i mundshëm, sepse nuk do të ishte diçka e drejtë për njerëzit që kanë votuar pro shkëputjes” në referendumin e parë, tha ai teksa ndodhej në Shtëpinë e Bardhë.
Trump tha gjithashtu se kishte mbetur i habitur “teksa shihte sesa keq kishte përfunduar historia e Brexit-it”, në përpjekjen për të veçuar Britaninë nga BE-ja. “Mendoj se gjithçka duhej të ishte negociuar në një tjetër mënyrë, sinqerisht”, tha ai, duke e quajtur këtë situatë kaotike “të turpshme”.
Ndërkohë, nga Rumania ku ndodhej për vizitë zyrtare, kryeshefi negociator i BE-së për “Brexit”-in, Michel Barnier tha se po e priste “me qetësi dhe durim” rezultatin e votimit në Dhomën e Komunëve.
“Për të ecur përpara kemi nevojë për një votë negative ndaj shkëputjes pa marrëveshje. Kemi nevojë për një votim konstruktiv dhe pozitiv. Do të vazhdoj të jem i qetë dhe i duruar, e sigurisht të tregoj respekt përkundrejt Britanisë dhe popullit të saj, sikurse edhe për procedurat ligjore e parlamentare të atij vendi. Po presim votimin me këtë frymë pozitive”, tha Barnier.