Bota Britania e Madhe e paralizuar nga stuhia me e fortë e dekadave,...

Britania e Madhe e paralizuar nga stuhia me e fortë e dekadave, avioni “lufton” me erërat deri në 100 km/h

Pjesa më e madhe e aktiviteteve në Britaninë e Madhe janë pezulluar ditën e sotme nga frika e pasojave të stuhisë Eunice, një nga ngjarjet klimatike më të forta të dekadave të fundit në atë ishull.

Në rrjetet sociale kanë filluar të qarkullojnë pamje dhe video domethënëse, si ai i avionit i ardhur nga Parisi që lufton me erën e fortë, teksa kërkon të zbresë në aeroportin e Birmingamit, aty ku era kalonte 100 kilometrat në orë.

Stuhia paraqitet me fenomene të rralla ku një zonë e vogël territori përfshihet menjëherë nga erëra të forta që mund të kalojnë edhe 120 kilometrat në orë, duke rrezikuar çdo gjë i del përpara.

Sot British Airways ka anuluar të paktën 80 fluturime vetëm në aeroportin Heathrow të Londrës, dhe të njëjtin shembull po marrin të gjitha kompanitë e tjera.

Janë qindra shkollat që janë mbyllur, ashtu si dhe atraksionet kryesore turistike, duke filluar nga kështjella mbretërore e Windsor.

Autoritetet britanike kanë nxjerrë alarm të kuq veçanërisht për zonën e kryeqytetit, këshillojnë kufizimin e lëvizëseve jo të domosdoshme, duke e cilësuar si “të paparashikueshëm” motin në orët në vijim.