Bota Gratë në Arabinë Saudite duan të bëhen treniste

Gratë në Arabinë Saudite duan të bëhen treniste

Mbi 28,000 gra në Arabinë Saudite aplikuan për t’u bërë makiniste. Deri para disa vitesh femrat nuk lejoheshin as të drejtonin makinën vetëm.

Kërkesa për punë nga gratë në Arabinë Saudite, një vend konservator islam, duket se është me sa duket e madhe. 28,000 aplikante iu përgjigjën një reklame të kompanisë hekurudhore spanjolle Renfe për punësimin e 30 makinisteve në Arabinë Saudite. Është hera e parë në historinë e vendit islamik që gratë saudite mund të mësojnë këtë profesion, shkroi kompania në një deklaratë në faqen e saj të internetit.

Gratë në Arabinë Saudite në përgjithësi kanë shumë më pak të drejta se burrat. Mundësitë e punësimit kanë qenë deri vonë të kufizuara në vende pune të tilla si mësuese apo personel mjekësor, pasi femrat duhej të respektojnë rregullat strikte të ndarjes gjinore. Deri në vitin 2018 gratë madje nuk lejoheshin as të drejtonin vetë makinën.

Deri në vitin 2018 gratë nuk lejoheshin as të drejtonin makinën

Në vazhdën e përpjekjeve të princit saudit të kurorës, Mohammed bin Salman për ta hapur mbretërinë dhe për të diversifikuar ekonominë, përqindja e grave në numrin e përgjithshëm të fuqisë punëtore është pothuajse dyfishuar në pesë vitet e fundit dhe është tani rreth 33 për qind.

Gratë po punojnë tani në profesione dikur të rezervuara për burrat dhe punëtorët migrantë. Megjithatë gratë janë ende të kufizuara,, përveç kësaj aktiviste të shumta për të drejtat e njeriut dhe të grave janë në burg.

Drejtueset e ardhshme të trenave do të ngasin trenat me shpejtësi të lartë ndërmjet qyteteve të Mekës dhe Medinës. Linja është ndërtuar nga kompania spanjolle Renfe, e cila është gjithashtu e përfshirë në organizimin e shërbimit që filloi në vitin 2018.

Gratë që do të kalojnë procesin e përzgjedhjes do të shkollohen një vit me pagesë, shkruan firma Renfe. Së bashku me konsorciumin operativ, kompania spanjolle po bën kështu një transferim të rëndësishëm njohurish në shoqërinë saudite.