Piktura “Britma” në të vërtetë nuk është një ulërimë, në të vërtetë kuptimi i saj është krejtësisht ndryshe madje akoma dhe më kompleks e shqetësues. Një ekspozitë e re në Muzeun Britanik duket se qartëson më së fundi një debat të gjatë. Figura në pikturë nuk është duke bërtitur, por duke dëgjuar një ulërimë.
Në një ekspozitë të re të titulluar Edvard Munch: ‘Love and Angst’, muzeu përmban një version litografik të figurës që i parapriu pikturës ikonike të vitit 1893. Përgjatë pjesës së poshtme gjendet një mbishkrim nga artisti: “Ndjeva ulërimën madhështore të natyrës”.
Fjalia kriptike i referohet një shëtitje që Munch mori pranë një fjordi me pamje nga Oslo. Ai e përshkroi atë në një hyrje ditari me titull “Nice 22 Janar 1892”: Unë po shëtisja rrugës me dy shokë, dielli po perëndonte, papritmas qielli u kthye në gjak të kuq, ndalova, u ndjeva i lodhur dhe u përkula në gardh, kishte gjak dhe gjuhë zjarri sipër fjordit blu/zi dhe qytetit, miqtë e mi ecnin, dhe unë qëndroja atje duke u dridhur nga ankthi, dhe ndjeva një ulërimë të pafund që kalonte nëpër natyrë.
Një tjetër provë mbështetëse është pikërisht edhe titulli origjinal gjerman i pikturës i cili ishte “Der Schrei der Natur”, ose “Britma e Natyrës”. “Ai po përpiqej të kapte një emocion ose një moment në kohë”, tha Giulia Bartrum, kuratore e ekspozitës së re. “Përmes mbishkrimit ne e dimë se si ai u ndje. Njerëzit mendojnë se ky është një person që ulërin, por nuk është ajo që realisht po ndodh“.
Studiues të tjerë të Munch, përfshirë Gunnar Soerensen, ish-drejtori i Muzeut Munch në Oslo, lënë pak më shumë hapësirë për nuanca. “Mund të jetë një ulërimë në natyrë ose një person që bërtet”, i tha ai Show Today. “Është çështje interpretimi.” / QZ/ SCAN