Sport Bayerni del me komunikatë zyrtare: Nuk kemi asnjë akord për Sane

Bayerni del me komunikatë zyrtare: Nuk kemi asnjë akord për Sane

Leroy Sane te Bayerni për një shifër rekord për arkat e klubit bavarez që kap shifrën e 100 milionë eurove, ishte ky lajmi i bujshëm që raportuan mediat gjermane pasditen e së enjtes duke treguar edhe disa detaje të tjera të marrëveshjes. Por asnjë prej këtyre lajmeve nuk është i vërtetë pasi vetë klubi i Bayernit ka dalë me një komunikatë zyrtare ku mohon të ketë arritur marrëveshjen me Manchester City-n dhe me vetë lojtarin.

“Lajmet e raportuara sot, ku thuhet se Leroya Sane ka vendosur të bashkohet me Bayern Munich, nuk korrespondojnë me faktet”, dy fjali të shkurtra nga klubi gjerman, që edhe një herë mohon marrëveshjen me Sane.

Një deklaratë kjo e klubit bavarez që ka zhgënjyer tifozët të cilët presin me padurim një sulmues të madh krahu në skuadër që do të mbulonte sadopak largimet e dy legjendave Robben dhe Ribery.

Sane është objektivi i parë i Bayernit, në merkato por nëse nuk arrihet marrëveshja me Manchester City-n deri në datën 8 gusht kur mbyllet merkato në Premier League, kampionët e Gjermanisë mund të shikojnë edhe për alternativa të tjera.