Kreu i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka paralajmëruar se goditja ekonomike e dhënë nga pandemia e koronavirusit do të ketë pasoja të mëtejshme, teksa tha se pritet të ketë sërish rënie ekonomike.
Gjatë një takimi të hapur diskutimi, Sejko shtoi se përmasat e kësaj rënies ekonomike nuk janë parë në dy dekadat e fundit.
“Ekonomia shqiptare pritet të pësojë një rënie të fortë të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020, do të shoqërohet me rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave dhe vështirësi financiare për familjet dhe bizneset,” deklaroi Sejko.
Guvernatori tha se gjurmët e pandemisë do të jenë të dukshme edhe në sektorin bankar; si dhe shtoi se stimujt fiskal dhe financiar do të lehtësojnë këtë barrë për ekonominë.
Kreu i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, Silvio Pedrazzi në fjalën e tij në këtë takim, u përqëndrua te garancia sovrane, për të cilën theksoi se nuk mund t’i jepet kujtdo.
“Garancia sovrane ka kushte teknike dhe financiare që duhen përmbushur për ta përfituar. Komuniteti i biznesit duhet t’i ndajë mirë kushtet për marrjen e garancisë sovrane“, tha Pedrazzi.
Kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Idustrisë, Ines Muçostepa, gjithashtu e pranishme në këtë takim kërkoi nga qeveria një paketë të tretë financiare për biznesin e madh.
“Kjo pandemi dhe masat e marra për të frenuar përhapjen e saj, janë duke dhënë pasoja negative në ekonominë globale. Situata ka sjellë një rritje shumë të ulët ekonomike, që konsiderohet një recesion i vërtetë. Masat shtrënguese të marra kanë ndikuar në uljen e aktivitetit ekonomik, kanë futur në kolaps turizmin dhe kanë sjellë rënie të eksporteve prej mungesës së kërkesës dhe ndërprerjeve në zinxhirin e vlerës. Kjo krizë pritet të sjellë dhe ngadalësim të investimeve publike dhe private duke shkaktuar pengesë të rritjes ekonomike dhe si rrjedhojë mungesë të vendeve të reja të punës,” tha znj. Muçostepa.