Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i ka dërguar një mesazh të fortë Bashkimit Evropian, në prag të përgjigjes për nisjen ose jo të procedurave për integrimin e Shqipërisë, përgjigje që pritet të jepet në mes të muajit tetor.
Përmes një mesazhi në “Twitter”, ish-kreu i diplomacisë shqiptare shkruan se BE duhet të tregojë guxim dhe këmbëngulje në Ballkan, në mënyrë që të përfundojë bashkimin e kontinentit.
“Bashkimi Evropian duhet të tregojë guxim, udhëheqje dhe këmbëngulje në Ballkan, për të përfunduar bashkimin e kontinentit. Me zgjerimin e Ballkanit, BE kthehet në vlerën origjinale, e cila po bën paqe aty ku pati luftë”, shkruan Bushati, ndërsa shpërndan fjalën e përfaqësueses së lartë të BE, Federica Mogherini, të mbajtur në Konferencën e Ambasadorëve të BE për 2019.