Rishikimi për herë të tretë i buxhetit për këtë vit po shqyrtohet sot në Parlament. Në fjalën e saj para deputetëve, ministrja e Financave, Anila Denaj, tha se kjo bëhet me qëllim amortizimin e goditjeve nga pandemia me investime shtesë. Denaj tha se tkurrja e investimeve private do të ekuilibrohet me rritjen e investimeve publike.
“Qeveria ka ndryshuar buxhetin pas tërmetit dhe pandemisë. Në këtë akt të tretë paraqesim disa ndryshime si instrument për të amortizuar një pjesë të goditjeve dhe mundësi për investim shtesë. Rritja e deficitit është një periudhë e përkohshme që vjen si domosdoshmëri. Tkurrja e investimeve private pritet të kompensohet nga rritja e fortë e investimeve publike, por edhe ato që priten për rindërtimin. Si rezultat i mbylljes në 6-mujorin e parë kemi -17% të ardhurat nga tatimet dhe doganat.
Do të rrisim shpenzimet për investime publike. 14 mld lekë shtesë për fondin e rindërtimit duke e çuar në 34 mld lekë për 2020 për rindërtimin. 900 mln lekë për njësitë e qeverisjes vendore për qiratë për të prekurit nga tërmeti. 200 mln lekë për skemën e papunësisë. Sigurimin e mjaftueshëm për organikën e OFL-së dhe buxhetin për 500 efektivë të rinj të policisë. Propozojmë për tatimin mbi të ardhurat për ata deri në 10 mln lekë të mos tatohen“, tha ndër të tjera ministrja.