Opinione “Lufta e listave”, zhurma që nuk sjell demokraci

“Lufta e listave”, zhurma që nuk sjell demokraci

Nga Leonard Karaj

Nuk ka sistem zgjedhor perfekt. As vende lidere të demokracisë, si shtetet nordike, britanike apo edhe Amerika, nuk kanë arritur të gjejnë një formulë të pakontestueshme (madje jo rrallë herë kanë qenë edhe shumë larg të qenit demokratike dhe jo më perfekte). Mjafton që të kujtojmë zgjedhjet e vitit 2000 në Amerikë, ku Xhorxh Bush shkoi drejt Shtëpisë së Bardhë, edhe pse rinumërimi i votave në Florida tregoi se kundërshtari i tij, Al Gore, kishte dalë fitues. Apo edhe në rastin e Hilari Klintonit, e cila edhe pse në 2016-n mori rreth 3 milionë vota më shumë sesa presidenti aktual Donald Tramp, sërish nuk mundi të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë, këtë herë jo më si zonjë e parë, por si presidente e Amerikës.

Në këtë kontekst, debati aktual në Shqipëri asesi nuk duhet trajtuar si shpëtim i sistemit ose si zgjidhje përfundimtare. Kush beson se modeli me lista të hapura rregullon një herë e mirë demokracinë, gabohet. Ato, vërtet shprehin një lloj demokratizimi më të thellë, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të cilësisë së parlamentit dhe eliminim të korrupsionit zgjedhor.

Po, votimi me listë të hapur do të rriste në teori, cilësinë e të zgjedhurve, pasi kandidati që do të hyjë në Kuvend duhet të kalojë dy filtra: të zgjidhet nga lidershipi i partisë që përfaqëson dhe duhet të kalojë natyrisht edhe “provën” e zgjedhësve.

Po, sërish, lista e mbyllur sikundër është prodhon “mandate pa djersë”. Historia e afërt na tregon se ky model në 2013-n i dha Partisë Socialiste 8 mandate më shumë nga sa i takonin, teksa po kaq mori edhe Partia Demokratike, kjo për shkak të formulës dhe mënyrës së numërimit të votave nëpër qarqe të ndryshme. Pra, 16 mandate për dy partitë e mëdha shkuan jo se ia dhanë qytetarët, por iu morën partive të vogla. Pak a shumë e njëjta gjë edhe në 2017-n, teksa u garua pa koalicione. Socialistët morën 7 mandate që nuk ua kishin dhënë qytetarët, ndërsa demokratët, tri të tilla.

Po dhe po, se në vend është krijuar një qasje, por e pa faktuar ama, se pjesa më e madhe e qytetarëve duan lista të hapura. Analistë, politikanë, shoqëri civile janë yshtur fort duke mbrojtur këtë tezë, me idenë se i japin më shumë përparësi votuesit, vënë para përgjegjësisë deputetin dhe ulin ndjeshëm “kapadaillëkun e të mëdhenjve”. Por, ajo që nuk thuhet janë dizavantazhet që sjell ky model, specifikisht për vendin tonë.

Shumë besojnë se lista e hapur ul korrupsionin, sepse krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë mes votës dhe politikanit. Votuesi ka mundësi ta ndëshkojnë politikanin për korrupsion apo ta shpërblejnë për ndershmëri. Por kjo është vetëm teori. Analiza të ndryshme tregojnë se kjo lloj llogaridhënieje nuk ka ndonjë efekt parandalues, pasi nevoja për të siguruar vota personale e adreson fushatën nga partiake në individuale, duke na çuar drejt një korupsioni edhe më të madh.

Për shembull, një politikan biznesmen, nëse deri dje luftonte fort gjoja për partinë, tanimë do ta ketë më të lehtë të blejë vota dhe influencë në një zonë të caktuar dhe të shkojë sërish deputet, sepse tanimë do ta bëjë direkt për vete. Nëse me lista të mbyllura, ky model kandidati (që fatkeqësisht nuk ka munguar asnjëherë në zgjedhjet e fundit), duhej jo vetëm të vihej në listë nga partia, por edhe të punonte për partinë, me listat e hapura, partia i duhet vetëm për të qenë në listë. Më pas është vetëm histori e tij me votuesin. Ndaj, mund të kemi sërish në Kuvend persona që kanë influencë, jo për shkak të personalitetit që ata kanë dhe imazhit të mirë që gëzojnë, por sepse në të tilla terrene dinë se si të bëjnë allishverishe.

Për të vijuar më tej, në proporcionalin me lista të hapura, përveç garës ndërpartiake merr jetë edhe gara brenda partisë. Votat personale janë të domosdoshme për karrierën e një politikani dhe në këtë kontekst, kandidati detyrohet të bëjë një fushatë personale paralele me partinë. Madje, ky i fundit më shumë mund të merakoset për “luftën brenda llojit” sesa për kundërshtarin politik. Dhe mungesa e kulturës politike na ka treguar se inati me kundërshtarin duron shumë më pak sesa ai brenda familjes, çka mund të sjellë jo demokratizim, por probleme pa fund branda të njëtit grupim politik.

Ndërkohë, që një fushatë e tillë personale sjell gjithashtu kosto më të lartë dhe nevoja e financimit e detyron politikanin kandidat që të orientohet drejt korrupsionit dhe ujdive të pandershme për të siguruar votat. Kandidatët më shumë do të mundohen të krijojnë klientelizëm, nepotizëm sesa të shpalosin programin e partisë nën siglën e së cilës kandidojnë. Dhe këtu pastaj hyjnë në lojë premtime për vende pune, bursa, tenderë, subvencione, etj., tashmë jo thjesht në emër të partisë.

Një tjetër problem i listave të hapura është marzhi më i lartë i gabimit të votuesit në fletë votimi, si dhe vonesa më të mëdha më pas edhe në numërim. Duke qenë se zgjedhësi do të duhet që jo vetëm të zgjedhë partinë, por edhe kandidatin që dëshiron, statistikat në vende të ndryshme që kanë këtë model zgjedhjor kanë treguar një marzh të lartë të fletëve të votimit të pavlefshme. Kosova për shembull, shtet i cili nga lista e mbyllur kaloi në listë të hapur, ka pasur një rritje të ndjeshme të gabimit në përzgjedhje nga ana e votuesit.

Me listë të hapur, gjithashtu, ekziston mundësia që partia, kuvendi, qeveria të mund të jenë teorikisht më demokratike, por në një vend si Shqipëria me një kulturë të ulët politike, kjo gjë mund të sjellë paqëndrueshmëri qeverisëse. Kryeministri, qeveria do të ishin “shënjestra” më të lehta edhe për vetë deputetët e tyre, të cilët nën idealizmin e tepruar se “dola vetë deputet”, do të krijonin jo pak probleme dhe pse jo edhe deri shantazhe për vende pune, tenderë etj., nëse këto nuk do t’i jepeshin nga kryeministri. Në këtë kuptim, listat e hapura do të sjellin një lidership partiak më të dobët dhe qeverisje më të vështirë, në funksion të programit që pretendohet të implementohet.

Argument tjetër është fakti se teorikisht lista e hapur “ndëshkon” femrat. Një grua do ta kishte më të vështirë në një terren kaq maskilist sa ky i yni, që të fitonte një vend në Kuvend. Dhe e njëjta logjikë shkon gjithashtu edhe për njerëz të ditur, profesorë dhe intelektualë, të cilët, edhe për shkak të profilit të ulët që kanë qenë të detyruar ose kanë zgjedhur të mbajnë gjatë këtyre viteve, sërish mund të mos votohen aq sa të jenë deputetë. Ndaj, kur për shembull një këngë e Sinan Hoxhës (pa dashur aspak të ofendoj personin në fjalë), merr miliona klikime përkundrejt një perle të “Beatles”, nuk duhet të çuditemi aspak edhe kur një person me shkollim të dyshimtë ulet në Parlament përkundrejt një personaliteti nga bota e shkencës apo e kulturës. Kjo është pak, por e sigurt se mund të ndodhë.

Kësisoj, përtej debatit “listë e hapur” apo “listë e mbyllur” dhe zhurmës që me gjasë do të prodhojë hiçgjë, Shqipëria ka nevojë për një klasë politike që shikon përtej hundës dhe xhepit të vet dhe, sidomos, për një zgjedhës të përgjegjshëm, që nuk e shet votën dhe të ardhmen e tij për një pako me ushqime.