Ditët e fundit, mediet kanë raportuar se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, për shkak të përçarjes së koalicionit qeverisë për mospërputhshmëri të ideve për taksën e vendosur nga Qeveria për produktet serbe dhe ato boshnjake.
Me këtë rast, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar pezullimin e kësaj takse, ndërkohë që kryeministri Ramush Haradinaj është duke këmbëngulur në vendimin e tij, duke thënë se taksa nuk do të hiqet pavarësisht presioneve.
Prishjen e mundshme të raporteve të Kosovës me amerikanët e kanë hedhur poshtë përfaqësuesit e partive të koalicionit qeverisës.
Shkumbin Demaliaj, deputet i AAK-së, deklaroi se taksa duhet të qëndrojë përgjithmonë, duke mos i harruar ato çfarë ka bërë Serbia në Kosovë. Ai mohoi gjithashtu mundësinë e shkuarjes së Kosovës në zgjedhje të parakohshme, pasi – sipas tij, – partitë opozitare nuk janë të gatshme për zgjedhje.
Me gjithë këtë, njohësit e çështjeve politike parashikojnë se vendi mund të shkojë në zgjedhje, nëse brenda koalicionit qeverisës nuk unifikohen idetë për të ardhmen e Republikës së Kosovës.