Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Zvicër ka rrëzuar Apelin duke lënë në fuqi dënimin me 10 vjet përjashtim nga Europa dhe një gjobë 1 milionë euro për Skënderbeun.
CAS konfirmon kështu vendimin e marrë më 29 mars nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA që kishte shpallur Skënderbeun fajtor për trukim ndeshjesh dhe e kishte përjashtuar klubin për të marrë pjesë për 10 vjet në kompeticionet europiane si dhe për të paguar një gjobë prej 1 milionë eurosh.
Skënderbeu apeloi vendimin e UEFA-s në maj të vitit të kaluar në CAS dhe pasi palët dhanë versionet e tyre më 16 prill 2019, erdhi edhe vendimi final dhe i pakthyeshëm.
“Në bazë të dëshmive që u parashtruan, paneli i CAS gjeti që KS Skënderbeu ishte përgjegjës për trukimin e ndeshjeve dhe sanksionet e UEFA-s ishin në përpjesëtim të drejtë dhe të justifikuara. Në këtë mënyrë, hedhim poshtë apelimin e klubit dhe mbajmë në fuqi vendimin e dhënë”, është arsyetimi i vendimit të CAS.