Pas skandaleve të natyrës seksuale që një vit më parë detyruan akademinë suedeze të pezullojë dhënien e çmimeve Nobel për Letërsinë, këtë vit do të jenë dy shkrimtarët që do të vlerësohen me këtë çmim. Dhe këtë vit shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është në listën e pretendentëve.
Do të jetë një ceremoni ndryshe e dhënies së çmimeve ajo e 10 tetorit në Stokholm, ku do të jenë dy shkrimtarët që do të marrin çmimin Nobel për letërsinë, atë të vitit 2018 dhe atë të 2019-ës.
Kjo për arsye se një vit më parë ceremonia e dhënies së çmimeve për këtë kategori u pezullua si pasojë e skandaleve seksuale që përfshinë akademinë suedeze. Për këtë arsye u vendos që të kapërcehej dhënia e çmimeve.
Një vendim jo i paprecedentë për çmimin prestigjioz, duke marrë në konsideratë se që nga viti 1901 deri në 2017-ën, çmimi Nobel për letërsinë është dhënë 110 herë në 114 vjet. Nuk është dorëzuar në vitin 1918, në përfundim të luftës së madhe, në vitin 1935 dhe më pas në vitet 1940 – 1943 gjatë luftës së dytë botërore.
Fituesi i fundit i çmimit Nobel për letërsinë ishte japonezi Kazuo Ishiguro, shkrimtar i madh që u vlerësua në 2017-ën. Në vitin 2018 akademia e Suedisë përfundoi në qendër të një skandali të madh në lidhje me menaxhimin e akuzave për ngacmime seksuale ndaj bashkëshortit të një anëtareje akademie që atëherë dha dorëheqjen.
Për shkak të dëmtimit të reputacionit dhe reduktimit të besimit të publikut tek institucioni, Akademia vendosi të pezullojë ceremoninë e dhënies së çmimeve.
Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është sërish një nga emrat e përfolur dhe këtë vit. Por mediat shkruajnë se ndoshta mund të jetë dhe një Nobel rozë me fitoren e An Karson. Gjithsesi pothuajse asnjëherë parashikimet nuk kanë gjetur fituesin e vërtetë, pra dhe këtë vit do të jetë një befasi, kësaj here e dyfishtë.