Historia e Shqipërisë, kultura, traditat, natyra madje edhe legjendat që fshihen pas saj do t’u rrëfehen tashmë turistëve në mënyrë profesionale nga guidat e para të certifikuara shqiptare.
“Tani këto janë profesione të lira të rregulluara nëpërmjet standardeve që i ofron ligji për turizmin i vitit 2015. Ato operojnë në të gjithë territorin e vendit, në zona të caktuara lokale, në muze, në parqe. Njohuritë e tyre në harqe kohore dyvjeçare duhet të jenë të përditësuara nga kurse trajnimi që ofron ministria”, ka deklaruar ministrja e Ekonomisë dhe Turizmit, Milva Ekonomi.
160 guidat e para të certifikuara do të listohen në faqen e Ministrisë së Turizmit. Aty agjencitë dhe institucionet e interesuara mund të drejtohen në çdo kohë, nëse janë në kërkim të një udhërrëfyesi turistik.
Më i riu mes tyre është 18-vjeçari Gent Imeraj, që na tregon pasionin për punën.
“Jam i gatshëm të transmetoj çdo legjendë, çdo traditë, çdo zakon e çdo vlerë natyrore që zona e Shkodrës posedon. Të drejtën e kam të jap këtë lloj informacioni në turqisht dhe anglisht. Babai im ka 20 vite që merret me turizëm dhe ka shkruar libra për Alpet. Më ka rritur me këtë frymë dhe më ka mësuar shumë gjera, që historia është ajo që e bën njeriun dhe nuk duhet të harrohet”, thotë Imeraj.