Në Pallatin e Kulturës në qytetin e Durrësit, ku tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi numrin më të madh të viktimave, po zhvillohen sot homazhet për përcjelljen në banesën e fundit të 8 viktimave të familjes Lala, mes tyre edhe 4 fëmijë.
I pranishëm në këtë ceremoni është edhe Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë sikundër edhe qindra qytetarë të Durrësit që janë bashkuar me dhimbjen e papërshkrueshme.
“Çfarë dhimbjeje përballë fotove të vogëlushëve që humbën jetën nën trupin e nënës që u shemb përtokë nga goditja fatale e peshës së shtëpisë së shembur. Zoti e bëftë të lehtë dheun e 8 viktimave të familjes Lala”, – tha kryeministri Rama.
8 anëtarë të familjes Lala u shuan nën rrënojat e vilës së tyre katër katëshe në zonën e ish-kënetës në Durrës. Familja me origjinë nga Peshkopia ishte një nga familjet që pësuan goditjen më të fortë të tërmetit me jetë të humbura.
Sahadete Lala 79 vjeç ndërroi jetë me djalin e saj të paralizuar Ilir Lala 52 vjeç, me nusen e djalit tjetër Marjeta Lala, 4 fëmijët e saj, dhe mbesën nga djali tjetër. Vila ku jetonin bashkë familjet e tre vëllezërve u kthye në mort, pasi u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit.
Bashkëshorti i Marjeta Lalës që humbi të katër fëmijët ishte në Itali, ashtu edhe vëllai tjetër i cili në këtë tragjedi humbi vajzën, Griselda Lalën, 22-vjeç. I vetmi që doli gjallë nga rrënojat ishte Ramë Lala 17 vjeç. Nëna e tij nuk ndodhej në banesë pasi natën e tërmetit ishte tek motra e saj në Tiranë.