Miron Çako*
Krishtlindja është periudha më veçantë e vitit, ku të krishterët si edhe të tjerë ndajnë dhurata të shumta midis tyre. Të nxitur edhe nga tregtimi gjithnjë e më shumë i kësaj feste prej një shoqërie konsumimi, Krishtlindja është zakonisht stimuli më i madh ekonomik për shumë vende në botë, ku blihen dhe shpërndahen dhurata që i jepet dikujt pa asnjë shpërblim në shenjë mirënjohjeje, miqësie, shprehjeje dashurie.
Krishtlindja është festa më e madhe tregtare në Shtetet e Bashkuara, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në shumë vende të tjera anembanë botës. Sipas Chritmas Spending Status, tregu dhe pazaret e Krishtlindjes janë një nga festat më të mëdha me blerësit që shpenzojnë mbi 1 trilionë dollarë në Shtetet e Bashkuara dhe mbi 2 miliardë paund në Britaninë e Madhe. Ky trend i shpenzimeve vazhdon të rriten vit pas viti dhe duket se nuk do ta ngadalësojë sasinë e shpenzimeve që do të bëjnë blerësit për Krishtlindje; e njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri, pavarësisht nga vështirësitë ekonomike që përballon vendi.
I gjithë ky marketing agresiv po kthehet në një stres për njerëzit. Sipas Alone Health: “Statistikat e stresit të festave tregojnë se deri në 69 % e njerëzve shqetësohen nga ndjenja e mungesës së kohës për të bërë të gjitha pazaret, 69 % shqetësohet duke parë një mungesë parash për dhurata dhe 51 % stresohet në lidhje me presionin psikologjik për të dhënë, ose për të marrë dhurata”.
Por përse njerëzit ndajnë kaq shumë dhurata për Krishtlindje?
Kjo gjë ndodh sepse Krishtlindja, pra vetë Lindja e Krishtit, në vetvete është një dhuratë, madje dhurata më e madhe për njerëzimin.
Për ta kuptuar misterin e kësaj “Dhurate” duhet të pranojmë me anë të besimit, shqisë e gjashtë, se çdo gjë e mirë te njerëzit, si natyrore, fizike, por edhe vetja e tyre është dhuratë nga Perëndia, të cilën Jisu Krishti e quan Atin e tij dhe ne njerëzit na mësoi t’i lutemi duke iu drejtuar me fjalët “Ati ynë…”. Apostull i Krishtit, Jakovi, thotë: “Çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë të cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi”(Jakovi 1:17).
Dhuratat e Perëndisë ndaj njerëzve janë një tregues i pakundërshtueshëm se Ati Perëndi nuk është një Perëndi apstrakt dhe indiferent por është një person Hyjnor me dashuri të pakushtëzuar për të gjithë njerëzit: “sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët”(Mateu 5:45). Ati nuk u mjaftua që vetëm me dhurata natyrore për jetën e përditshme të na e tregojë dashurinë tij, por për të na e zbuluar të gjithë dimensionin e dashurisë së tij të përmbibollshme ndaj njerëzve, të krijuar sipas ikonës së Perëndisë, Ati e dërgoi në botë vetë Birin, Fjalën e tij, me anën e të cilit u bënë të gjitha, të dukurat edhe të padukurat, i Cili për ne njerëzit edhe për shpëtimin tonë u bë njeri prej Shpirtit të Shenjtë edhe Virgjëreshës Mari, dhe lindi si foshnjë në Betlehem të Judesë, ashtu si lexojmë në Ungjill: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdi e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë”(Joani 1:14). Në Birin e tij, Ati jep dhe dhuron vetveten te njerëzit në mënyrën më unike, me qëllim që njerëzit, duke e parë këtë dhuratë hyjnore të mishëruar, të njohin dashurinë e Atit dhe dashuria e tij të qëndrojë me ta, sepse “kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin”(1 Joanit 2:23-24). Jisu është Emanueli “Perëndia me ne” (Isaia: 7-14)
Vetë Jisu Krishtin, Birin e Atit që erdhi si një dhuratë prej qiellit, do ta shohim se si njeri jep jetën e tij në kryq, si dhuratë të përsosur e të pëlqyer përpara Atit për shpëtimin e njerëzve të cilët, nga mëkatet e tyre, kishin fyer dashurinë Perëndisë dhe, për t’u pajtuar me Atin, njerëzit ofronin prej shekujsh si dhuratë oferta të natyrës dhe si flijim gjakun e kafshëve, që ishte i pamjaftueshëm për shlyerjen e mëkateve njerëzore, ashtu siç e sqaron apostull Pavli në letrën e tij: “Sepse është e pamundur që gjak demash e cjepsh të heqin mëkatet. Prandaj ai, duke hyrë në botë, thotë: “Theror e dhuratë nuk deshe, po bëre gati për mua një trup. Therorë me djegie të plotë dhe flijime për mëkat nuk pëlqeve”. Atëherë thashë: Ja tek po vij, në rrotullin e librit është shkruar për mua, për të bërë, o Perëndi, dëshirën tënde. “Dhe nuk do t’i kujtoj më mëkatet e tyre dhe paudhësitë e tyre”. Edhe atje ku ka ndjesë të këtyre gjërave, nuk ka më ofertë për mëkatin”(Hebrenjve 10:17). Pra, Krishti është në të njëjtën kohë dhuratë e Perëndisë për njerëzit, por edhe dhurata e njerëzve për Perëndinë, prandaj edhe njerëzit nuk kanë nevojë të paraqesin dhurata të tjera për ndjesën e mëkateve në shenjë mirënjohjeje ndaj Atit Perëndi, por edhe në mes të njerëzve, familjeve edhe popujve si shenjë miqësie mes tyre: “Sepse një është Perëndia,një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve, njeriu Jisu Krishti, që dha veten e tij shpëblim për të gjithë”(I Tim 2- 5)
Për Krishtlindje dhurata e parë i takon Krishtit!
Pak njerëz e mendojnë këtë detyrim. Shumica, në çdo Krishtlindje, i bëjnë dhurata vetes apo tjetrit, edhe festojnë Krishtlindjen, pa Krishtin. I trishtuar është fakti që njerëzit harxhojnë miliona për vete edhe nuk kanë një dhuratë për Krishtin. Njerëzit i zbukurojnë qytetet dhe shtëpitë e tyre me aksesorët e Krishtlindjes, si me bredhin me yllin sipër tij dhe poshtë shumë dhurata që presin t’i hapin për festën, po ashtu me tavolina të shtruara me të gjitha të mirat, ku njerëzit, ulur përreth të veshur bukur sidomos me të kuqe, me një buzëqeshje skenike urojnë njëri-tjetrin: “Merry Christmas” Gëzuar Krishtlindjen, por për Krishtin që troket në derën e zemrës edhe të shtëpisë së tyre nuk ka vend, as dhuratë. Për ironi dhe fyerje ndaj Krishtit që ka ditëlindjen, njerëzit në vënd të Atij presin një plak me pallto të kuqe, me bark të madh dhe me një thes në kurriz plot me lodra, që zbret nga oxhaku, i quajtur “babo natale”, plaku i Krishtlindjes, i cili ndan dhurata, por për Krishtin as ai nuk ka asgjë.
Por çfarë dhurate dëshiron Krishti prej nesh?
Mos ndoshta Krishti dëshiron ar, temjan edhe miro, dhurata të shtrenjta si ia sollën Magët nga Persia? Fatmirësisht jo, sepse atëherë vetëm të pasurit mund t’i realizonin këto dhurata. Krishti dëshiron një dhuratë që e kanë të gjithë në veten e tyre, dhe nuk kërkon shpenzim për ta përgatitur: janë mëkatet tona, që na mundojnë, na hidhërojnë jetën dhe na ndajnë nga dashuria e Perëndisë, ashtu si na i sqaron postull Pavli: “Sepse të gjithë mëkatuam dhe u privuam nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anën të hirit të Tij, nëpërmjet shpengimin që në Krishtin Jisu”( Romakëve 3:23-24)
Krishti na fton të gjithë: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje” (Mateu 11:28). Pra, Krishti kërkon me pendim e rrëfim t’i ofrojmë si dhuratë barrën e mëkateve tona: “Prandaj edhe ne, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jisui (Hebrenjve 12:1-2).
Përveç mëkateve, Krishti pranon edhe dhurata të tjera, si rroba, ushqime, madje edhe një copë bukë apo edhe një gotë ujë, pak kohë për shoqëri, gjëra të vogla që çdokush mund ti bëj fare lehtë. Ai e thotë vetë: “Sepse pata uri, dhe më dhatë për të ngrënë; pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj, dhe më pritët; isha i zhveshur, dhe më veshët; isha i sëmurë, dhe ju më vizitonit; isha në burg, dhe erdhët tek unë”… “Në të vërtetë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua”(Mateu 25:35-40).
Si rrjedhim, duket qartë se çdokush, tani për Krishtlindje, ka mundësi për t’i bërë një dhuratë Krishtit. Ja dhurata që ua kalon tërë dhuratave, dhurata më esenciale, më e bukur, të cilën e përgatisim kështu: Duke i rrëfyer me pendim mëkatet dhe duke bërë një vepër sociale që, sa do e vogël të duket, është një dhuratë e madhe për Krishtin që e identifikon veten, me më të varfrit, të pastrehët, të braktisurit e shoqërisë, që ajo i quan në arrogancën egoiste të vegjël, por për Krishtin janë vëllezërit dhe motrat e tij. Vetëm kështu dhuratat e Krishtlindjes do të kenë kuptim dhe do t’i japin gëzimin e vërtetë të festës, sepse Krishti dha te çdo njeri mënyrën për të gjetur gëzimin e festës, sepse: “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!”(Veprat e Apostujve 20:35).
*Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit në Kryepiskopatën e KOASH-it