Aktualitet Çfarë do të ndodhë nëse një nxënës apo mësues preket nga COVID-19?...

Çfarë do të ndodhë nëse një nxënës apo mësues preket nga COVID-19? Flet Besa Shahini

Shkollat do të hapen me 14 shtator, por megjithatë shqetësimi i prindërve për dërgimin e fëmijëve në shkollë mbetet prezent. Ministrja e Arsimit ka sqaruar se si do veprohet nëse një nxënës apo mësues do të rezultojë pozitiv me Covid-19.

“Tamponimi ndodh për të gjithë grupin. Mbyllet klasa apo e gjithë shkolla në rast se klasa ka pasur komunikim apo kontakt me të tjerët dhe për një periudhë kohore të paracaktuar, që mund të jenë 2 apo 3 javë, grupi i nxënësve që do të jetë karantinuar do të vijojë mësimin në kushte shtëpie.

Kjo është dhe arsyeja pse RTSH Shkolla do të punojë paralelisht me të gjithë procesin mësimor që do të zhvillohet në objektet shkollore”, sqaroi ministrja Shahini.

Ndërsa është vendosur që shkollat do hapen, po vijojnë përgatitjet për zhvillimin e mësimit edhe në kushte shtëpie. Shahini ka deklaruar se kanali televiziv i dedikuar do të transmetojë të njëjtat orë mësimore që do të zhvillohen në shkollë në mënyrë që nxënësi të ketë mundësi të ndjekë leksionet edhe në rast se qëndron në shtëpi.

Sa i përket ngarkesës mësimore që vjen si pasojë e mësimit me turne, Shahini deklaroi se është planifikuar një shtim i numrit të mësuesve sipas nevojave.

“Nëse sëmuret një mësues apo nëse do duhet të mbulohen turne, ne kemi buxhet tashmë të shtuar për të mbuluar çfarëdo nevoje që mund të dalë gjatë vitit për të siguruar një mbarëvajtje sa më të mirë të procesit mësimor”, u shpreh ministrja.

Në udhëzuesin për fillimin e vitit shkollor janë përcaktuar edhe tre skenarët e rinisjes së mësimit të cilat janë:

Mësimi zhvillohet në mjediset fizike të shkollës, duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik nëse situata e pandemisë është e qëndrueshme;

Mësimi zhvillohet i kombinuar (një javë në shkollë dhe një javë në kushtet e shtëpisë);

Mësimi zhvillohet vetëm në distancë, në rast se situata e COVID-19 përkeqësohet.

 

Udhëzuesi për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 dhe përgjigjet për disa nga pyetjet tuaja👇🏼

https://www.ascap.edu.al/wp-content/uploads/2020/08/Udhezuesi-per-fillimin-e-vitit-shkollor-2020-2021.pdf

Posted by Besa Shahini on Thursday, 27 August 2020