Aktualitet Çfarë duhet të dinë studentët mbi vendimin e fundit të qeverisë

Çfarë duhet të dinë studentët mbi vendimin e fundit të qeverisë

Ndryshon nota mesatare për të aplikuar në universitet. Këshilli i Ministrave ka vendosur përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe të dytë të programeve të integruara të studimeve si dhe transferimin e studimeve në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve, për vitin akademik 2019-2020.

Kandidatët kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, pasi kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim.

Nota mesatare është vendosur të jetë nota 6.5. Kjo notë mesatare është përllogaritur duke marrë në konsideratë mesataren aritmetike të thjeshtë të notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë; mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Ndërsa kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi.