Pasditen e sotme prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja iu bë atentat në mbikalimin e Shkozetit, ndërkohë që Shqiptarja.com konfirmon zyrtarisht se ditën e djeshme në prokurorinë e Durrësit ka qenë përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Vettingut Theo Jacobs, ku ka kërkuar të njihet me dosjen hetimore që po heton prokurori Arjan Ndoja lidhur me arrestimin e zyrtarëve të kadastrës në Durrës.
Njeriu i hekurt që monitoron procesin e vettingut në Shqipëri ka kërkuar shpjegime nga prokurori Ndoja, mbi mënyrën e trajtimit të kësaj dosje penale.
Njëherësh Jacobs ka shkuar dhe në gjykatën e Durrësit ku është njohur dhe ka tërhequr vendimet gjyqësore. Tashme dosja e skandalit të pronave në Gjirin e Lalzit që është hetuar nga Ndoja, po monitorohet dhe nga përfaqësuesi i OMN-së, ndërkohë që Ndoja ende nuk ka dalë në vetting.
Skandali me pronat në Gjirin e Lalzit u denoncua nga kryeministri Edi Rama që e akuzoi prokurorin Ndoja si të lidhur me bandat./shqiptarja