Sa keq është gjendja në Turqi? Varet kë pyet.
Që prej shtatorit, me udhëzimet e presidentit Rexhep Tajip Erdogan, që habitën një pjesë të madhe të botës, Banka Qendrore Turke uli normat e interesit, edhe pse inflacioni ishte duke u rritur dhe sot gjendet në shifrën marramendëse prej 36%.
Që atëherë, lira turke ka humbur plot 44% të vlerës së saj, gjë që ka bërë që çmimet në vend të rriten dhe fuqia blerëse të bjerë në mënyrë drastike.
Normat e ulta të interesit kanë qenë pjesë e retorikës së presidentit Erdogan që prej vitit 2013, kur ai bënte fushatë për t’u bërë president i Turqisë, duke promovuar këtë model ekonomik kontrovers që ka vënë përballë njëri-tjetrit ekspertë të ekonomisë nga e gjithë bota.
Por si arriti lira turke deri këtu?
Gjithçka lidhet fillimisht me raportin mes inflacionit dhe normave të interesit – të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti mbi vlerën e një valute.
Ekonomistë të shumtë janë të mendimit se kur një shtet kalon periudha të inflacionit të lartë, ai duhet t’i ngrejë normat e interesit, jo t’i ulë ato.
Kjo është edhe arsyeja pse ata mendojnë se veprimi i bërë nga Erdogan, duke ulur normat e interesit në një kohë kur inflacioni është kaq i lartë, nuk kishte si të rezultonte në diçka tjetër veçse rritjes së mëtejshme të inflacionit dhe detyrimisht zhvlerësimit të valutës vendase – lirës turke.
Por pse i uli Erdogan normat e interesit? Në fund të fundit, presidenti i një vendi kaq të fuqishëm nuk kishte si të bënte një veprim kaq naiv dhe të pamenduar.
Le ta nisim këtu.
Publikisht, Erdogan ka parapëlqyer të përdorë shpesh argumentin fetar për të mbrojtur këtë strategji të re ekonomike, e cila në pamje të parë mund të duket absurde dhe kontradiktore.
Ai është shprehur se është kundër normave të interesit për arsye se feja islame nuk e lejon kredinë apo kamatën, edhe pse ulja e normave të interesit duket se ka një efekt krejt të kundërt, duke qenë se ajo i shtynë debitorët të marrin edhe më tepër para borxh, pasi interesi që do të duhet të paguajnë është më i ulët.
Sidoqoftë, feja nuk është katalizatori real i kësaj përpjekjeje të re të Erdogan dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt. Qëllimi real në fakt është rritja dhe transformimi i ekonomisë vendase. Por me ç’kosto?
Një moment. Po flasim për rritje të ekonomisë vendase në një kohë kur lira turke po zhvlerësohet dita ditës? Pikërisht, por edhe kjo e ka një vijë logjike.
Në fakt, ky ‘zhvlerësim’ i lirës turke mund të jetë duke u bërë qëllimisht.
Ç’do të thotë kjo?
Ky lloj fenomeni në botën e makro-ekonomisë njihet si ‘zhvlerësimi artificial i valutës vendase’, dhe ç’qëllim mund të ketë e gjithë kjo?
Pikërisht rritjen e ekonomisë. Në momentin që vlera e valutës së një shteti bie, kjo e bën këtë shtet më tërheqës në tregun global, pasi shtetet e tjera mund të blejnë produktet e tij, shërbimet, fuqinë punëtore madje edhe të investojnë për shumë më pak para. Diçka e ngjashme është bërë nga shumë shtete në të shkuarën, përfshi këtu edhe Kinën, e cila vitet e fundit ka patur një bum ekonomik.
Por situata në Turqi është paksa më e ndryshme.
Në fakt, situata në të gjithë botën në këtë kohë është shumë më e ndryshme, gjë që ka bërë shumë vetë ta quajnë këtë lëvizje të Erdogan, asgjë më pak apo më shumë se sa një ‘lojë bixhozi’.
Sipas profesorit të ekonomisë në Universitetin e Ankarasë, Refet Gurkaynak, kjo që po bën Erdogan është një bast që vë në rrezik fatin e popullit turk, pasi ndërkohë që investitorët e huaj mund të përfitojnë nga ulja e çmimeve për eksportet, vetë populli arrin në një pikë, ku nuk mund të blejë dot produktet më minimale, çmimet e të cilave janë rritur në mënyrë të tejskajshme si pasojë e inflacionit.
“Sigurisht, nga njëra anë ky model ekonomik e bën Turqinë më konkurruese dhe atraktive në tregun global dhe kjo mund të rrisë eksportet, por mos të harrojmë. Turqia është një vend i varur nga importet. Ndërkohë që eksportet rriten si pasojë e zhvlerësimit të lirës, importet dhe gjithçka tjetër bëhen më të shtrenjtë. Dhe Turqia është një vend që importon naftën, makineritë industriale etj, dhe në një kohë kur e gjithë bota po vuan nga inflacioni i lartë dhe kriza energjetike, një strategji e tillë nuk mund të funksionojë,” – u shpreh ai për median franceze France24.
Nga ana tjetër, analisti i televizionit turk TRT, Yusuf Erim, kishte një mendim më neutral duke thënë se kjo iniciativë nga Erdogan duhet parë si një ‘transformim ekonomik’ që sado ambicioz, pritet të ketë efekt në një plan më afatgjatë.
Sipas tij, ndërkohë që Turqia bëhet më konkurruese në tregun global dhe eksportet vazhdojnë të rriten, e njëjta gjë do të ndodhë edhe me prodhimin industrial në vend, investimet e huaja dhe rrjedhimisht edhe vendet e punës.
“I gjithë ky proces ka anët e tij pozitive dhe ato negative. Pavarësisht vështirësimit të jetës për vendasit, synimet janë afatgjata. Dhe në të njëjtën kohë, presidenti Erdogan po ndërmerr masa për t’ua bërë më të thjesht përshtatjen me rritjen e inflacionit qytetarëve turk. Duke qenë se Thesari i Shtetit Turk ka një llogari të bollshme në dollarë amerikanë, Erdogan po e përdor këtë buxhet duke rritur rrogat minimale me 50% dhe të gjithë rrogat e administratës shtetërore me 30%. Pra ai po mundohet t’ia lehtësojë barrën qytetarëve turk dhe po përgatitet për efektet afatgjata,” – tha ai.
Sidoqoftë, prof. Refet Gurkaynak, si shumë të tjerë mbetet skeptik duke thënë se një model i tillë ekonomik i bazuar në lehtësimin e kredisë dhe uljen e normave të interesit, do të ishte i suksesshëm vetëm nëse normat e inflacionit do të ishin të ulëta, jo në një kohë kur e gjithë bota po vuan nga normat më të larta të inflacionit që kemi parë në dekada të tëra.
Mbetet për t’u parë, nëse kjo që po bën Erdogan do të mbetet në kufijtë e imagjinares, nëse ajo do të jetë një bast që vë në rrezik vendin e tij, apo nëse do të arrijë në fakt të jetë një plan gjenial që do ta rrisë vërtetë ekonominë turke.
Erdogan është shprehur se problemet e lirës turke janë një rezultat i sabotazhit që duan t’i bëjnë të huajt ekonomisë së Turqisë, si dhe mbështetësve të tyre brenda shtetit turk.
Gjatë një fjalimi më 22 nëntor, ai u shpreh se do të përgjigjej me një “luftë financiare” për të fituar pavarësinë ekonomike të vendit të tij – luftë kjo të cilën ai dha fjalën se do ta fitonte Turqia.