Nga Ermal Telhai
Kam parë filmin e parë të Ermal Mamaqit dhe e quaj komedi shumë të suksesshme ku kam qeshur pa fund. Me të njëjtën pritshmëri shkova edhe dje në premierën e dytë në orën 21:00, ku prisja të qeshja 10 herë më shumë, por qesha 10 herë më pak se në filmin “Dy gisht mjaltë”.
Prisja rradhë të gjatë për të hyrë se premierë, por nuk pati. Në sallë nuk ishin më shumë se çereku i karrigeve të mbushura. Mu dhimbs kasti sepse një energji, marketing dhe përkushtim aq i madh, nuk meritojnë të kenë aq pak prezencë. Mbase kjo ishte një analizë e bërë jo mirë nga organizatorët dhe në fjalën përshëndetëse të Ermalit, u duk zhgënjimi.
Salla bosh të trishton!
Unë as jam, as pretendoj të jem ndonjë herë kritik filmi, por si njohës modest i marrëdhënieve me publikun, më takon të reagoj për atë që prisja të shihja përkundrejt asaj që pashë në film në këtë prizëm.
Filmi filloi, komercializmi pritej dhe gjatë 2-orëshit pashë reklamë për një bankë, një klinike plastike, një karburant, një dyqan laptopësh, një agjensi turistike, një mobileri, një sallameri, një markë patatinash, një birrë, një kafene, një markë uji, një dyqan që jepte makina me qera, ndoshta edhe ndonjë gjë që se kujtoj. Në asnjë film deri më sot nuk kam parë kaq reklama të integruara, prandaj e quaj marketing të tepërt (ndoshta jo të keq).
Ne thelb të skenarit është Landi që e emërojnë drejtor banke në Tropojë, zonë që në film u trajtua më keq se zonat e luftës në Siri për nga rrezikshmëria.
Ngjarjet zhvillohen rreth dy familjeve, një tropojane dhe një fierake, që në gjykimin tim, asnjëra e përfaqësuar denjësisht.
Po i marr me rradhë se çfarë prisja të shihja e çfarë pashë:
Prisja një kryefamiljar tropojan të sertë, fanatik por të rregullt, siç unë njoh shumë të tillë, por pashë një njeri prehistorik të parruar, të pakulturuar, që nuk di të hajë, që ofendon gruan e tij duke thënë “kam 40 vjet që fle me një burrë” (citim nga filmi ky), që kërcënon me dy bodigardë me maska dhe armë për martesë të detyruar mikun të cilit i hapi shtëpinë, e në fund ndërron edhe orientimin seksual.
A është ky babai tropojan?!
Prisja një grua kryefamiljare fanatike, të çuditur nga koha që ka ardhur, jo mendjehapur, por zonjë të denjë, që pavarësisht skamjes dhe mentalitetit të kohës, ja ka dalë të rrisë dhe edukojë shumë fëmijë. Në fakt pashë një imazh të shpërfytyruar me vetulla të bashkuara, injorante, që nuk dinte as të fliste as të hante, as të përshtatej, as të sillej.
A është kjo nëna tropojane?!
Prisja një vajzë të ndrydhur, të frikur nga mentaliteti paragjykues, nga autoriteti i meshkujve të familjes. Në fakt ky ishte roli që mu duk më origjinal, që luhej nga një tropojane dhe i shkonte, më pëlqeu edhe komizmi, por konteksti i vendosur s’mu duk i duhuri.
Prisja djemtë e familjes që të ishin emigrantë në Londër siç i nxjerr dhe filmi, por emigrantë të rregullt, që punojnë me djersë dhe ndihmojnë familjen, por pashë dy djem që i pari merrej me drogë, ndërsa i dyti (rolin e të cilit e luan miku im Julian Deda) ishte martuar me një të moshuar për letra ose për trashëgim pasurie dhe që kërcënojnë kunatin me pistoletë në kokë.
Raste të tilla mbase ka, por a janë këta djemtë tropojanë që duhen promovuar?!
Prisja të shihja si fund të lumtur një dasmë tradicionale, që përcillte mesazhe kundër paragjykimeve dhe stigmatizimeve por me qasje komike, si dhe elementë të kulturave të ndryshme familjare por që jetojnë nën një umbrellë që quhet shqiptari. Në fakt pashë një dasmë me roje me maska dhe kallash në hyrje, ku plasi sherri me grushta, armë, pjata e çfarë kishin nëpër duar, e sikur të mos mjaftonte kjo, mbyllet me “Dajën” e dhëndrit i cili i quan tropojanët bij kurvash që duan t’ja martojnë nipin me zor dhe për këtë veprim, kryefamiljari tropojan i thotë “bravo bre burrë”.
A është kjo tradita e familjeve tona?! A është kjo ajo që duhet të përcjellim tek shikuesit nëpërmjet komedive?!
Nëse dikush nga ju që e keni parë filmin, keni arritur të kuptoni mesazhin, jeni të lutur të ma thoni.
Unë u përpoqa shumë, por nuk e kuptova dot!