Sport Juventusi zyrtarizon sulmuesin e talentuar shqiptar

Juventusi zyrtarizon sulmuesin e talentuar shqiptar

Xhakomo Vrioni, sulmuesi i Shqipërisë, është zyrtarisht pjesë e Juventusit. Prezantimi i tij është bërë të enjten nga klubi i madh italian, që kishte arritur prej ditësh marrëveshjen me Sampdorian për marrjen 21-vjeçarit. Në fakt, nuk është një afrim për ekipin e parë, por për Juventusin U-23, ose për ekipin B të kampionëve në fuqi të Serisë A.

Sidoqoftë, është një hap i madh përpara për futbollistin shqiptar. Xhakomo Vrioni është aktivizuar më shumë me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë, por është grumbulluar edhe me Kombëtaren A nga ish-trajneri Kristian Panuçi. Vrioni e ka të lidhur karrierën e tij me Italinë, ku është aktivizuar me skuadra si Venecia dhe Çitadela këtë sezon, ndërsa tani i bashkohet Juventusit. Është formuar si lojtar te klubi i Sampdorias, që më pas e ka huazuar në skuadra të Serisë B, ku ka mundësi të luajë rregullisht.

Në ndeshjet e fundit sulmuesi i lindur në Itali nuk është grumbulluar me kuqezinjtë, por është një lojtar me të ardhme dhe ndoshta kalimi te Juventusi do të ndihmojë për të bërë një karrierë më të mirë. Vrioni i bashkohet kështu Rey Manajt dhe Armando Brojës, lojtarë që bëjnë pjesë në klube të mëdha europiane, i pari te Barcelona dhe i dyti te Çelsi.