Me titullin “Futbolli gjerman duhet të heqë dorë nga të gënjyerit e vetvetes”, ‘Die Welt’ i jep një shuplakë të fortë kombëtares pas eliminimit të dytë radhazi që në fazën e grupeve të një Botërori. “Gjermania nuk është më një skuadër. Duhen ndryshime thelbësore për të dalë nga ky makth”, – shton më tej kjo gazetë.
Mediat e tjera gjermane kanë gjithashtu një ton të ashpër. Dy gazeta mbështesin idenë se në Katar u pa fundi i një cikli. Sipas ‘FAZ’ “gjërat vetëm janë përkeqësuar pas fitimit të Kupës së Botës në vitin 2014. Rikthimi në majë të botës është vetëm një iluzion për këtë skuadër”.
“Çfarë turpi! Jemi jashtë!” – shkruan ‘Bild’, duke folur për “fundin e një kombëtareje të madhe futbolli”. Po ashtu, kjo media evidenton edhe vendimin milimetrik ekstremisht kontrovers në ndeshjen mes Japonisë dhe Spanjës, duke iu referuar golit të dytë të aziatikëve.
“Ka mundësi që Spanja nuk dha maksimumin në pjesën e dytë për të barazuar, sepse preferoi të kalojë si e dyta e grupit”, – është dyshimi që ngre kjo gazetë. Të tjera media përqendrohen më shumë në aspektet teknike, duke nisur nga loja aspak brilante në fushë.
‘Sueddeutsche Zeitung’ e përshkruan lojën e Gjermanisë si “rezultat të një konfuzioni të madh”. Për ’Der Spiegel’, dështimi në Doha erdhi për faj të “mungesës së efiçencës”, si dhe për faj të “vendimeve të gabuara të trajnerit”.
Trajneri Hansi Flick, pas eliminimit të Gjermanisë u shpreh se nuk ishte momenti për të dhënë dorëheqjen.