Sport Chelsea eliminon Atleticon, Bayerni largon italianen e fundit

Chelsea eliminon Atleticon, Bayerni largon italianen e fundit

Atletico e Madridit i thotë lamtumirë Championsit që në fazën e 1/8-ave. Skuadra e drejtuar nga “Cholo” Simeone nuk ia doli ta befasonte Chelsea-n brenda në “Stamford Bridge”. “Los Colchoneros”, që ishin mposhtur 0-1 në “Wanda Metropolitano”, u dorëzuan 2-0 në Londër, ku shënuan Ziech dhe Emerson. Madrilenët e mbyllën takimin me një lojtar më pak, për shkak të kartonit të kuq të marrë nga Savic.

Bën detyrën në “Allianz Arena” Bayerni i Mynihut, që iu imponua Lazios me rezultatin 2-1 (takimin e parë bavarezët e fituan 1-4). Për ekipin e Hansi Flick shënuan Lewandowski me 11-metërsh në minutën e 33-të dhe Chupo-Mouting në të 73-tën.

Golin e “flamurit” për bardhekaltrit e realizoi Parolo 8 minuta para fundit të kohës së rregullt.

Tashmë zyrtarisht, ekipet italiane janë të gjitha jashtë kompeticionit më të rëndësishëm europian, ndërsa në Europa League vijojnë të jenë ende në garë Roma dhe Milan që do të zhvillojnë ndeshjet e kthimit mbrëmjen e së enjtes.