Historiani Marenglen Kasmi, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, duke folur për Çlirimin e Tiranës, deklaroi se periudha e Luftës së Dytë Botërore në vendin tonë duhet parë me shumë kujdes, pasi ka interpretime të ndryshme.
Kasmi theksoi se ndërkombëtarët gjithsesi kanë prirje t’i shkojnë në afër të vërtetës.
“Ne shkojmë gjithmonë tek debati nëse kemi të bëjmë me çlirim apo me pushtim? Ata që u erdhën në pushtet ishin shqiptarë, pavarësisht atij sistemi. Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri është e studiuar. Sot duhet ta shikojmë me kujdes atë periudhë.
Në kohën e komunizmit, duhet të dilte në pah Enver Hoxha, prandaj duhet folur për gjithçka, edhe për humbjet. Në luftimet për betejën e Tiranës, thuhet nga Mehmet Shehu se humbën jetën 200 partizanë, ndërsa në shkrime të tjera thuhet se ishin më pak partizanë që ranë për kryeqytetin. Duhet të flasim me dokumente e ndërkombëtarët janë më afër të vërtetës”, tha Kasmi.
Marenglen Kasmi theksoi se lufta për Çlirimin e Tiranës është bërë nga vetë shqiptarët, pa ndihmën e aleatëve, ndërsa shtoi se Mehmet Shehu nuk ishte personi kryesor në luftime, siç është thënë, por ai ishte themeluesi i brigadës së parë partizane.
“Diskutimi i përsëritur shëndosh interpretimet. Kështu shkruhet edhe sot, se Tirana u çlirua me luftën vetëm të shqiptarëve, kjo qëndron, sepse aleatët nuk zbarkuan në vend, përpos dy batalioneve në jug, që nuk kanë ndërhyrë në luftime. Luftimet në Tiranë nuk janë drejtuar nga Mehmet Shehu. Për kryerjen e luftimeve u krijuan brigada.
Brigada e parë ishte e krijuar nga Mehmet Shehu. Kjo ka ndodhur në të vërtetë. Kishte aleatë sigurisht. Masat që u morën ishin të rregullta, ishin njësi ushtarake të mirëfillta. Mund të ishin 700 deri 1200 gjermanë para pushtimit. Përkrah partizanëve, ishin edhe forca të xhandarmërisë dhe të nacionalistëve”, u shpreh Kasmi.
“Pse luftimet në Kërrabë ishin përcaktuese për fitoren në Tiranë”
Historiani i njohur Marenglen Kasmi ka publikuar dokumente dhe fakte të reja për betejën dhe luftimet që çuan në çlirimin e kryeqytetit shqiptar, Tiranës më 17 nëntor 1944.
I ftuar i Sokol Ballës në “Real Story” në News24, Kasmi ka nxjerrë dy harta nga tërheqja e gjermanëve nga Tirana si dhe raportin e kolonelit gjerman që komandonte trupat gjermane që vinin nga Greqia. Ai tha se luftimet në Kërrabë ishin përcaktuese për fitoren në Tiranë.
“Kjo është rrugë tërheqja e gjermanëve nga qyteti i Tiranës. Këtu jemi në momentin e fundit, në 16 nëntor duke gdhirë 17 nëntori 1944.
Beteja e Mushqetasë është e folur dhe e studiuar dhe në atë periudhë por ajo që kemi të re sot është skica e gjermanëve për betejën e Mushqetas. Është skica shoqëruese e një raporti, të hartuar më 28 nëntor 1944 nga komandanti gjerman që komandonte këtë kolonën, vinte nga Greqia, u shkëput në Strugë me një detyrë të veçantë që të vinte në Tiranë që t’u vinte në ndihmë forcave gjermane në Tiranë me 4 mijë forca. Për 5 ditë iu është dashur të bëjnë një distancë prej 45 kilometrash. Mushqetaja është e fundit, pasi goditjet filluan që në dalje të Elbasanit. Kjo kolonë u nda në pararojë, pjesa kryesore dhe praparojë. Koloneli gjerman, Shtajer (Steyrer) shfaqet nga veprimet që kryen një ushtarak i aftë.
Në Elbasan ishin përqendruar të gjitha forcat që kishin ardhur dhe nga Jugu i Shqipërisë dhe po prisnin kolonën që u godit me ashpërsi dhe i janë dashur gati 2 javë të vinin nga Struga megjithëse e kishin planifikuar për 4 ditë.
Luftimet në Kërrabë janë përcaktuese për fitoren në Tiranë për të dyja palët. Hapet një rrugë e re tek kjo urë, një anashkalim në kushte të vështira. U vë re mbasi u rregullua rruga, pavarësisht se u hap nuk kalohej dot nga mjetet e rënda kështu që merret vendimi nga ky kolonel që duhet të ndërtojmë urën. Pra dhe dy ditë të tjera. Në momentin që vazhdon, afrohemi në zonën e Mushqetas ku ishte dhe prita e batalioneve partizane. në raport përshkruhen vështirësitë ku u vunë gjermanët. Dhe në datë 15 ka pasur dhe goditje nga forcave angleze ajrore. Në koordinim me sulmet ajrore kjo është beteja e parë”, tha Kasmi.