Reali i Madridit “çmendet” për Eden Hazard.
Sipas tabloidit britanik “The Sun”, klubi “merengues” është gati të bëjë gjithçka për të sjellë në kryeqytetin spanjoll mesfushorin-sulmues belg të Chelsea dhe për këtë arsye ka përgatitur një kontratë për të në mënyrë që Hazard të bëjë realitet ëndrrën e tij për të veshur fanelën e “Los Blancos”.
Gjithnjë sipas “The Sun”, Reali i Madridit do t’i ofrojë Hazardit një pagë prej 400 mijë paundë në javë, që do të thotë një 20 milionë paundë në sezon. Tabloidi i njohur britanik thekson se drejtuesit e Chelsea tashmë duken të dorëzuar përsa i përket çështjes Hazard dhe kanë pranuar largimin e tij nga Stamford Bridge për vlerën e 100 milionë paundëve.
Mësohet se Reali tashmë është bërë gati për të bërë një ofertë zyrtare për Hazard dhe do të kërkojë që të mbyllë çështjen e transferimit të tij sa më shpejt që të jetë e mundur. Për më tepër, Hazard mund të përfitojë dhe 15 milionë paundë në formën e bonuseve nëse ndihmon Realin të fitojë trofe në Spanjë dhe Evropë, ndërkohë që klubi po mendon që të përfshijë në kontratën e tij edhe një klauzolë të zgjidhjes së saj prej 250 milionë paundësh.