Këtë të enjte, është betuar qeveria e re italiane, e cila u krijua nga koalicioni i Partisë Demokratike pro-Evropiane dhe Lëvizjes Pesë Yjet.
Kryeministri italian, Giuseppe Conte është profesor pa lidhje politike dhe tashmë kryeson një këshill të përbërë prej 7 grave dhe 14 burrave, ku i është dhënë më shumë hapësirë politikanëve të rinj.
Ndryshe nga paraardhësja e saj me të njëjtin kryeministër, qeveria e re duket se synon të ketë më pak konflikte me Bashkimin Evropian.
Në fakt, administrata e re besohet se do t’i kundërshtojë më pak politikat e BE-së për buxhetin dhe migrimin dhe do të revokojë disa vendime të mëparshme të nxitura nga ish zëvendës kryeministri dhe ministri i brendshëm Matteo Salvini.
Por skeptikët besojnë se epoka e Ligës së Salvinit me politikat e tij nacionaliste të ekstremit të djathtë nuk ka mbaruar. Duke marrë në konsideratë se Pesë Yjet dhe Partia Demokratike i përkasin tradicionalisht kampeve të ndryshme politike, ata thonë se jetegjatësia e kësaj qeveria nuk është e garantuar, çfarë mund të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme dhe një rimëkëmbje të Salvinit.
Në qeverinë e sapobetuar, partia Demokratike do të udhëheqë ministrinë e ekonomisë dhe atë për çështje europiane, ndërsa ish-kryeministri Paolo Gentiloni, me shumë gjasa do të jetë komisionari i ri i Italisë në BE.
Qeveria e re do të ketë kompetenca të plota pasi të fitojë mocionet e votëbesimit në të dyja dhomat e parlamentit javën e ardhshme, raporton Dita, duke iu referuar mediave ndërkombetare.