Interi do të përballet ditën e nesërme si vendas me Udinezen, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e tretë në Serie A.
Zikaltërit vijnë në këtë ndeshje pas dy fitoreve, atë të ndeshjes së parë kundër Leçes me rezultatin 4-0 dhe kundër Kaljarit me rezultatin 1-2. Në prag të sfidës së nesërme, në konferencën për shtyp ka dalë trajneri Antonio Conte, i cili shprehet: “Është gjithmonë e vështirë të luash pas ndeshjeve të kombëtareve, pasi lojtarët vijnë në kushteve të ndryshme fizike dhe psikologjike. Loja zhvillohet ndryshe nga normalja. Udineze është një ekip i fortë, mbrojnë mirë dhe po ashtu janë shumë të mirë në kundërsulme. Sanchez? Ai është një lojtar i fortë që ka fituar shumë në të kaluarën. Ka luajtur në klube të mëdha. Tani ne duhet ta sjellim atë në nivelin e lartë që ka qenë më parë. Ka një dëshirë të madhe për tu stërvitur dhe ka filluar të kuptojë stilin e lojës sonë. Kur të jetë plotësisht gati, unë jam i bindur që do të na japë një ndihmë të madhe. Lukaku? Romelu hyri tek Inter duke treguar një dëshirë të madhe. Pjesa tjetër e grupit e kuptoi këtë menjëherë. Ne po flasim për një djalë që ka cilësi të rëndësishme, ai përpiqet ta ndihmojë partnerin e tij në sulm. Mendon për të mirën e ekipit së pari dhe kjo është e rëndësishme për ne”, theksoi tekniku italian.
Ai foli gjithashtu edhe për ecurinë pozitive te Interit në dy ndeshjet e para të kampionatit: “Ishte një fillim shumë i mirë pavarësisht disa lojtarëve që u bashkuan me ekipin vonë apo edhe disa dëmtimeve. Ka entuziazëm, por duhet të jetë dëshira për të ndërtuar baza të rëndësishme. Interi ka imazhin e një klubi me ide të qarta, merkato e ka treguar këtë. Në ndeshjet e ardhshme ne duhet të testojmë të gjithë lojtarët, për të kuptuar nëse kanë arritur një nivel optimal fizik dhe taktik”, përfundoi Conte.