“Në këtë moment nuk mund të them kur do të përfundojë bllokimi. Ne po ndjekim indikacionet e komitetit shkencor por Italia ishte vendi i parë që u përball me urgjencën. Përgjigja jonë ishte ndoshta jo e përsosur, por ne kemi bërë më të mirën bazuar në njohuritë tona. Vlefshmëria e masave tona është njohur nga OBSH-ja dhe rezultatet tregojnë se ne jemi në rrugën e duhur”, deklaroi kryeministri italian Giuseppe Conte për rrjetin amerikan Nbc News.
“Ne po vuajmë shumë, është një dhimbje shkatërruese dhe në këtë moment të vështirësisë e them qartë se SHBA dhe presidenti Trump kanë treguar edhe një herë se ata janë aleatët dhe miqtë tanë të ngushtë duke siguruar Italinë për mbështetjen e tyre”, shtoi Conte.
“Mesazhi më i rëndësishëm për t’u dhënë qytetarëve tanë ka qenë të rrinë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur. Dhe nëse ka nevojë të dilni, për punë ose të bëni pazar, respektoni rregullat e sigurisë. Ne po kërkojmë një sakrificë të madhe për popullin tonë, unë jam i vetëdijshëm për të, por kjo është mënyra e vetme. Sa më shumë t’i respektojmë rregullat, aq më shpejt do të dalim nga urgjenca”, shtoi ai.
“Që nga fillimi i pandemisë, Italia e ka vendosur shëndetin publik në krye të prioriteteve. Zgjedhjet tona politike janë bazuar në prova shkencore. Është thelbësore të zbatohen këto vendime në transparencë të plotë, për të siguruar shëndetin e tyre. Ky është modeli“, përfundoi Conte.