Antonio Conte do të çlirohet një herë e mirë nga kontrata që e mbante të lidhur me Chelsea-n. Trajneri italian, i shkarkuar nga Roman Abramovich në përfundim të sezonit të kaluar, nuk u nda me marrëveshje me drejtuesit londineze, ndaj çështja duhej zgjidhur në gjyq. 29 marsi ishte caktuar dita kur Gjykata e Londrës do të merrte një vendim. Blutë e Londrës duhet ta dëmshpërblinin Conten me 9 milionë paundë (afërisht 11 milionë euro), shumë të cilën anglezët pretendojnë të mos e paguajnë duke përdorur si argument përplasjen e italianit me Diego Costan, që e zhvlerësoi çmimin e sulmuesit, tashmë në radhët e Atleticos, nga 60 në 30 milionë euro.
Sido që të vendosë Gjykata e Londrës, Atonio Conte më 30 mars, pra nesër, nuk do të ketë më asnjë detyrim kontraktual me Chelsea-n, çka i hap rrugë një tjetër eksperiencë të tij, sipas të gjitha gjasave në Serinë A.
Ish-trajneri i Juventusit ka një dëshirë të çmendur për të nisur sa më parë punën, pas thuajse një viti pushim. Po merr më shumë jetë hipoteza e emërimit të tij në krye të Interit, si pasues i Spalletit, por diçka e tillë mund të ndodhë vetëm në fund të sezonit, pasi të bëhet bilanci (sigurisht negativ) i objektivave. Për Conten janë mbyllur të gjitha rrugët që mund ta çonin në stolin e Realit të Madridit (sapo u emërua Zidane) apo të PSG-së (rinovoi me Tuchel).