Sport Conte: Tek Roma nuk shkoj. Inter, Milan apo Juve? Ja çfarë kërkoj

Conte: Tek Roma nuk shkoj. Inter, Milan apo Juve? Ja çfarë kërkoj

E ardhmja e Antonio Conte është në Itali, vetë trajneri deklaroi se me 60% të shanseve do të kthehet të drejtojë një skuadër të Serie A në fund të këtij sezoni.

Në një intervistë për “La Gazzetta dello Sport”, Conte ka folur për interesin e katër skuadrave të mëdha në Serie A: Roma, Inter, Milan dhe Juventus.

“Çdokush që më telefonon mua duhet të dijë se unë vendos ndikimin tim, me idetë e mia në futboll dhe me metodat e mia. Nuk jam menaxher, nuk mendoj se objektivi i një trajneri është të bëjë sa më pak dëme të mundshme, nëse mendoj këtë klubet nuk më telefonojnë. Unë dua të ndikoj, sepse jam shumë strikt me veten time. Objektivi i punës sime është vetëm fitorja. Për të arritur aty më është dashur të punoj, të sakrifikoj, të bashkohem për qëllimin, duke menduar si “ne” dhe jo vetëm për veten time, nuk e di për të tjerët”, tha fillimisht Conte.

Roma

“Rashë në dashuri me atë qytet gjatë dy viteve që isha si trajner i kombëtares. Në ‘Olimpico’ ndjen pasionin që ata njerëz kanë për futbollin. Por, sot nuk janë kushtet që unë të kthehet atje, ndoshta një ditë do të kthehem, së shpejti ose më vonë, një ditë do të trajnoj në Romë”, me këto fjalë trajneri mbyll çdo mundësi për të firmosur me Romën në fund të këtij sezoni.

Inter apo Milan?

“Arsyetimi im vlen për cilëndo skuadër. Duhet të kem perceptimin se unë mund të fitoj ndaj kujtdo. Duhet të mendoj se fitorja është e arritshme. Përndryshe, pa probleme, mund të vazhdoj të pushoj akoma.”

Juventus

“Kanë qenë tre vite shumë intensive. Mundësuam që makina të shtynte më shumë sesa kishte mundësi. Shumë vite rraskapitëse, nga të gjitha këndvështrimet. Mendoj se edhe në familjet më të mira ka sherre. Në këto tre vjet i dhashë të gjitha. Jam ndjerë borxhli ndaj Agnelli-t. Më kujtohet premtimi që i bëra: ‘Do të duhet kohë, por qëllimi është të kthehemi në krye të botës’. Nuk munda ta përfundoja premtimin. Rikthimi? Për t’u rikthyer, duhet të jenë të dyja palët. Mendoj se Juventusi ka nisur një rrugë dhe unë mendoj se ata janë shumë të lumtur me Allegrin, i cili sigurisht ka vazhduar punën, ai është duke bërë shumë mirë. E nesërmja nuk dihet kurrë”, përfundoi intervistën e tij Conte.