Aktualitet Covid-19, rrëfimi i një vajze që doli pozitive pa simptomat që i...

Covid-19, rrëfimi i një vajze që doli pozitive pa simptomat që i dimë

Ajo ngriti kokën duke lëshuar frymën. Sapo ka lënë celularin mbushur me mesazhe urimi. Ka ditëlindjen. Mbush 42 vjeç. Në derë i kanë “behur” tufat me lule, pa të zotët. Është në vet-izolim si e gjithë popullata. Afrohet të shijojë erën e orkideve. Asgjë. Aroma nuk i çan hundën si herët e tjera. Një gulç i del nga kraharori. E ka disa herë këtë ndjesi. Nuk ia vë mendjen. S’e ka mësuar ende dallimin nëse duhet të shqetësohet apo jo.

Atë gulç që po e shtrydh, nuk e lidh as me virusin që po na pushton mendjen. “Asesi” – i thotë vetes. “Nuk kam temperaturë, as kollë dhe marr frymë lirisht”. 

Dita sapo i ka filluar. Nis të përtypet ngadalë. Por nuhatja sërish nuk e ndihmon. Nuk ka oreks. Mendja i është hallakatur. Lë ishullin e kuzhinës dhe i drejtohet dhomës së gjumit. Përkulet mbi shtrat dhe qëndron ashtu për një copë herë. Ka një dhimbje të fortë koke dhe balli sa nuk i del vendit…

Fillon të shqetësohet. Zbret shkallët e pallatit dhe bash në ditëlindjen e saj blen një aparat tensioni tek farmacia ngjitur lagjes. Presioni i gjakut është 16 me 11.

E mat disa herë gjatë ditës, por asgjë nuk ndryshon. As dhimbja e kokës që i vazhdon edhe gjatë natës. Të nesërmen vendos t’i drejtohet një spitali privat.

Partneri i saj (që e ka shoqëruar) i sugjeron të bëjë edhe testin e Covid-19, proces që sapo ka filluar në atë spital. “Pse jo”, – i thotë vetes dhe atij.

Të hënën në darkë merr përgjigjen. Rezulton pozitive. Është prekur nga Covid-19. Partneri, jo.

Jo pak e trazuar nga e papritura, paketon gjërat nga shtëpia ku jeton. Merr laptopin dhe disa rroba të rehatshme sportive.

Vetëm pak ditë para, ajo ishte duke gatuar, vraponte në pistën e vrapit të instaluar në shtëpi dhe kërcente. Sot i ka humbur ajo energji. Nga e marta e kësaj jave, ajo është izoluar “bollshëm”. Është zhvendosur në një tjetër shtëpi, krejt vetëm…

Furnizimet i merr tek dera me maskë dhe doreza. Është në kontakt të vazhdueshëm me mjeken e familjes. Fut nën gjuhë Adalat për tensionin dhe pi Paracetomol çdo gjashtë orë. Temperaturën e ka 37. Nuk ka as kollë. Ka vetëm atë gulç që nuk e lëshon, pulsin “e ndezur”, dhe tepër…, tepër e lodhur. Oreksi nuk i është kthyer ende. Ka humbur 5 kg. Ha shpesh hudhra me djathë që të ngacmojë nuhatjen. Por jo. Të gjitha i duken njësoj. Thjesht një dëng i madh ushqimesh në tavolinë…

Teste, teste, teste

….42 vjecarja I.N nuk ka sistem imunitar të dobësuar. Ajo nuk përfshihet tek ata që vuajnë nga diabeti, sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, targeti më i prekshëm ndaj komplikacioneve të COVID-19. Nuk ka temperaturë të lartë, siç e zë në kohë gripi. Nuk ka vuajtur nga tensioni apo frymëmarrja. Sic rrëfen për gazetën “Si”, ajo nuk pati shenjat tipike që trumbetojnë sot mjekët për Covid-19; temperaturë, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje. Megjithatë, rezultoi pozitive. Sepse  “tinëz” futet tek ajo përqindja tjetër e vogël (por po aq e rëndësishme), që njerëzit pak ia vënë veshin, madje edhe mjekësia…

Njeriu me të cilin bashkëjeton ka bërë dy herë testin. Është negativ. Por deri kur? Nëse ajo nuk do ta bënte testin atë të dielë jave, sot situata do të ishte tjetër për të dy…

Austria, shembulli i testeve

Të martën, Austria, me një popullsi prej 8,8 milion banorësh, lajmëroi se do të fusë në përdorim rreth 15 mijë teste në ditë. Ka testuar mbi 30.000 njerëz deri më tani me afro 7,642 raste të prekur, 225 të shtruar në spital dhe 58 vdekje të konfirmuara. Austria është një nga vendet e para europiane që vendosi kufizime të mëdha në lëvizje. Mbylli dyqanet dhe shkollat si kundërpërgjigje e asaj që po ndodhte në Itali dhe jo vetëm. Në konferencën për shtyp të kësaj fillim jave, Kancelari Sebastian Kurz tha se Austria po planifikon të testojë deri në 15,000 njerëz në ditë.

“Ne do të fillojmë teste të shpejta, për të testuar qindra mijëra njerëz, sa më shpejt të jetë e mundur”. Ai iu referua testeve të reja që janë relativisht të lira, por zgjasin më shumë sesa testet laboratorike të përdorura deri më tani. Ndërkohë, Italia, e cila të premten shënoi bilancin më tragjik me 969 viktima për një ditë, ka vendosur të bëjë teste për të gjithë ata persona që kanë qoftë edhe një simptomë të vetme.

Pamundësia e Shqipërisë

Autoritetet shqiptare japin shpjegime nga më të ndryshmet rreth nevojës për më shumë teste. Së fundmi, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u përpoq të japë një shpjegim shterues, duke iu referuar Irlandës e cila kishte zgjeruar në masë numrin e testimeve në popullatë. “…Mund t’ju jap shembullin e Irlandës që pasi kuptoi që e kishte zgjeruar shumë rrjetën e testimeve, ka vendosur që të testojë vetëm ata të cilët kanë më shumë se një simptomë dhe të testojnë personelin mjekësor dhe të moshuarit që janë të sëmurë kronikë. Ka shumë vendime që qeveritë po marrin. Vendimet e qeverisë sonë janë të orientuara nga ekipet e ekspertëve, definicionet dhe rekomandimet e OBSH. Kjo është një situatë dinamike dhe vendimet ndërmerren hap pas hapi. Sigurisht nëse do të ketë një qasje më shumë dimensionale përsa i përket edhe testimeve nuk do të ketë asnjë hezitim edhe nga qeveria për ta ndërmarrë edhe këtë hap…”, tha ajo në “Opinion”.

Por, po në të njëjtin emision, pak minuta më vonë, mjeku i njohur infeksionit, Pëllumb Pipero rekomandoi që të bëhen sa më shumë teste. “Unë besoj dhe e rekomandoj se “Po”. Duhen bërë më shumë testime. Por gjithnjë, jo testim për depistim, por për konfirmim, pra të gjurmojmë sa më shumë raste kontakti”. Sipas tij, pas çdo rasti të konfirmuar janë 10 deri në 15 raste të panjohura: “Sa më mirë t’i gjurmojmë rastet e kontaktit aq më mirë e njohim realitetin”.

Ndërkohë, një spital privat ka lajmëruar publikisht se javës që vjen testet mund të bëhen edhe aty, sigurisht kundrejt një çmimi dhe rezultati do të dalë brenda dy orësh. Atëherë pse shteti nuk e bën një gjë të tillë? Thjesht nuk e përballon dot…/Gazeta Si