Ai mbush 35 vjeç nesër. Më 5 shkurt 1985, Dolores Aveiro lindi një djalë topolak dhe gjithçka ndryshoi. Bashkë me të ndryshoi historia e familjes së përulur nga Madeira e Portugalisë. Sporting, Manchester United, Real Madrid, Juventus. Cristiano Ronaldo është në mes të rrugëtimit të jetës. 35 vitet mund të shihen si mosha mesatare, çka i lejon atij të bëjë njëlloj bilanci. Në të vërtetë, fizikisht dhe për nga ajo që vazhdon të bëjë në fushat e blerta, ylli luzitan duket së paku dhjetë vite më i ri.
Për ta mbajtur veten në këtë gjendje rinie të përjetshme ai është kujdes për çdo detaj të mirëushqyerjes dhe stërvitjes. 35 vite mbi supe janë vërtet shumë për një futbollist, por fusha është akoma termometri i suksesit, që tregon se CR7 ka thyer çdo rregull të natyrës dhe jetës njerëzore. Në dy muajt e fundit te Juventusi, ai është rikthyer në majat “himalajane”. Për nëntë ndeshje radhazi, Ronaldo ka shënuar të paktën një gol. Për momentin kemi 15 gola të kampionit të Juventusit në total, në këtë sezon.
Populli bardhezi do ta urojë në unison nesër, për ditëlindjen e 35-të. Sa iu përket dhuratave, ato mund të jenë të ndryshme, por vetë ai pret të fitojë… Ligën e Kampionëve. Fundja, për këtë gjë ka zbarkuar në Torino, te “Zonja e Vjetër”. Me të në skuadër, përtej çdo pylli të errët, ka dritë…