Drejtuesi i operacionit për gjendjen e jashtëzakonshme, Bledi Çuçi, njëkohësisht ministër i Bujqësisë, informoi sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë mbi dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Nga objektet në qarkun e Durrësit, Çuçi tha se “janë inspektuar 656 objekte dhe numri është në rritje”. “Nga këto 242 objekte janë të pabanueshme dhe 27 nga këto janë për t’u prishur”, tha ai.
Në qarkun e Tiranës, sipas Çuçit, janë të dëmtuara 525 pallate dhe 3921 banesa plus dhe 146 biznese.
Në qarkun e Lezhës, Çuçi tha se “janë rreth 400 banesa që rezultojnë të dëmtuara, 138 janë me dëme të mesme, 53 pallate të dëmtuara rëndë, 13 institucione me dëme të rënda dhe 3 institucione me dëme të mesme”.
“Një rëndësi shumë të veçantë ka në këtë fazë intensifikimi i vlerësimit të dëmeve dhe shtimi i ekspertëve për verifikimin e gjendjes fizike të të gjithë objekteve të prekura nga tërmeti”, tha ai.
Ajo që Çuçi e vlerësoi si hap pozitiv është fakti që në qytetin e Durrësit 12 ndërtues kanë shprehur dëshirën për të ndihmuar në rindërtimin e pallateve të dëmtuara, por në Tiranë ndërkohë asnjë.
Zv. kryeministri Erjon Braçe kërkoi akomodimin në banesa të gjithë familjarëve të prekur para festës së Krishtlindjes si dhe të përshpejtohet procedura me statusin e qirasë.
“Gjithë vëmendja duhet të përqendrohet te zonat rurale, ku njerëzit kanë preferuar të qëndrojnë pranë shtëpive të tyre. Duhet të bëhet zëvendësimi i çadrave menjëherë, që të jenë dimërore. Duhet të përshpejtojmë gjetjen e banesave me qira. Kruja, Vora, e kanë të pamundur të gjejnë vetë banesa me qira, do duhet t’i akomodojmë në Tiranë. Duhet të bëjmë zhvendosjen brenda këtij muaji dhe strehimin e këtyre personave nga hotelet në shtëpi me qira”, deklaroi zv/kryeministri.