Sipas të gjitha gjasave, ashtu siç kanë deklaruar deputetët Aldo Bumçi dhe Kastriot Islami, protesta e Partisë Demokratike nuk do të ketë të ndalur. Dhe pikërisht sot, kur kjo protestë ka hyrë në ditën e saj të dhjetë, deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade pohon se “ka një kategori politikanësh që mbijetojnë në politikë përmes destabilizimit, populizmit, nacionalizmit të shtirur, gjuhës së urrejtjes”. Gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, ajo shprehet se tenda në bulevard, është pikërisht aty, “ku Saliu urdhëroi vrasjet e të pafajshmëve në 21 Janar”. Dhe se kjo protestë e thirrur nga Sali Berisha gjithmonë sipas saj, përtej numrit të të ardhurve, edhe nga vise që nuk votojnë në Shqipëri, është instrument që ai të pengojë finalizimin e punës legjislative lidhur me reformën në drejtësi dhe vetingun. Duke shtuar se ngërçi zgjidhet në parlament, aty edhe ku po diskutohen amendamentet për ligjin zgjedhor. “Pengimi për përfundimin e amendamenteve në ligjin zgjedhor, flet qartazi për frikën që e ka mbërthyer këtë forcë politike nga humbja e sigurt në zgjedhjet e ardhshme”, pohon ajo…
Protesta e PD-së, tashmë, po hyn në ditën e saj të 10-të. Një protestë që nuk ishte menduar kaq e gjatë, por së cilës tashmë, nuk i dihet përfundimi. Si do ta cilësonit këtë protestë? Sipas z. Islami, kjo protestë nuk ka kthim deri në qeveri teknike pa Ramën. Si do ta komentonit?
Protestat janë instrumente që e shëndoshin klimën në një vend demokratik, kur ato kanë përmbajtje në dobi të konsolidimit si edhe funksionimit demokratik të institucioneve. Ato i ndihmojnë mazhorancat të bëjnë kujdes kur opinioni publik dhe qytetarët u bien kambanave për më shumë të drejta ekonomike, apo çështje të tjera të rëndësishme që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve. Siç po duket, protesta e thirrur nga Sali Berisha, përtej numrit të të ardhurve, sikurse është shprehur vetë Saliu, edhe nga vise që nuk votojnë në Shqipëri, është instrument që ai të pengojë finalizimin e punës legjislative lidhur me Reformën në Drejtësi dhe Vetingun. Ai, më parë se kushdo tjetër, i trembet drejtësisë së pavarur dhe profesionale e cila do ti japë fund kulturës së pandëshkueshmërisë.
Së dyti, tenda në bulevard, aty ku Saliu urdhëroi vrasjet e të pafajshmëve në 21 Janar, 6 vjet më parë, rreket të dëshmojë se kjo protestë po zgjat dhe ka mbështetje popullore, por po dëshmon katërcipërisht që është e sforcuar e po përdoret si alibi për humbjen e zgjedhjeve parlamentare të qershorit dhe kjo do të shënojë humbjen e katërt radhazi të PD-së së Saliut, e cila pas humbjes së pushtetit duhej të merrej seriozisht me veten për ti përgatitur aleatët për aksionet politike të radhës e, pa asnjë mëdyshje, duhej të distancohej nga korrupsioni e abuzivizmi me pushtetin si edhe krimet shtetërore më të fundit të Gërdecit dhe 21 Janarit, pazaret me integritetin territorial etj., etj.
Po si mund të zgjidhet ky ngërç dhe ku mund të zgjidhet?
Në parlament. Aty po diskutohen amendamentet për ligjin zgjedhor. Pengimi për përfundimin e amendamenteve në ligjin zgjedhor, flet qartazi për frikën që e ka mbërthyer këtë forcë politike nga humbja e sigurt në zgjedhjet e ardhshme.
Kjo situatë, a po ndikon keq për imazhin e Shqipërisë? Si do ti komentonit thirrjet e Bashës: “Ora jote po vjen! Ora e çdokujt që abuzon me shqiptarët po vjen! Luftë doni, luftë do bëjmë…!”
Shqipëria ka nevojë për stabilitet në përmbushjen e reformave për integrimin në Bashkimin Evropian, por edhe për vazhdimin e rolit tonë në kontekstin rajonal, ku pothuajse kudo ka tentativa destabilizuese. Ka një kategori politikanësh që mbijetojnë në politikë përmes destabilizimit, populizmit, nacionalizmit të shtirur, gjuhës së urrejtjes. Pa asnjë mëdyshje, qytetarët e refuzojnë këtë mënyrë të të bërit politikë./AFP