Bota Dalin fotot nga bazat ku ranë raketat iraniane. A u shmangën nga...

Dalin fotot nga bazat ku ranë raketat iraniane. A u shmangën nga Teherani qëllimisht viktimat?

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë dalë me një qëndrim të ri në lidhje me sulmet me raketa të Iranit ndaj bazave ushtarake në Irak ku ishin të stacionuara shumë trupa të huaja.

Sipas tyre, Irani qëllimisht nuk i goditi objektivat amerikane në Irak për të shmangur fillimin e një lufte të sigurt mes dy vendeve.

Imazhet e fundit satelitore tregojnë krateret e shkaktuara nga “shiu” i raketave, për të cilat Irani deklaroi se ishin një hakmarrje për vrasjen e gjeneralit të ushtrisë Qasem Soleimani. Më vonë, gjatë ditës, autoritetet iraniane u mburrën duke thënë se me sulmet në bazat në Al Asad dhe Erbil i dhanë një “shuplakë fytyrës” Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Por, megjithatë mes administratës Trump ka zyrtarë që besojnë se Irani qëllimisht nuk goditi zonat brenda bazës ku ishin stacionuar trupat amerikane. Për ta, Irani dërgoi një mesazh të qartë ku thuhej “Ne mund ta bënim këtë gjë, por nuk e bëmë”. Sipas këtyre zyrtarëve, SHBA i dha Iranit mundësinë për të bërë atë që donte të bënte dhe të mos përshkallëzonte situatën duke vrarë amerikanë.

Edhe presidenti Trump, gjatë deklaratës pas sulmeve në Shtëpinë e Bardhë, u shpreh se dëshironte të ulte tensionet me Iranin.