Sport De Ligt dhe Buffon “dënojnë” Juven

De Ligt dhe Buffon “dënojnë” Juven

Juventus është ndalur në barazim 2-2 ndaj Sassuolos.

Gjithçka nisi mirë për Juventusin, pasi në minutën e 20-të ishte Leonardo Bonucci, i cili shënoi me një goditje që pati edhe një devijim të vogël para se të përfundonte në rrjetë. U duk se do të ishte një fitore e lehtë, por Sassuolo reagoi menjëherë.

Në minutën e 23-të, Boga shënoi një gol fantastik, teksa mposhti me një parabël Buffon, duke baraspeshuar shifrat. Pjesa e parë u mbyll 1-1, ndërsa e dyta nisi menjëherë e zjarrtë. Gafë e pafalshme e De Ligt dhe më pas e Buffon, me Caputon që çon shifrat në 1-2.

Sarri nuk i beson syve dhe hedh menjëherë në fushë Dybalan. Ky i fundit i jep një marrsh tjetër lojës dhe në minutën e 67-të fiton një penallti, që u kthye në gol nga Cristiano Ronaldo. Bardhezinjtë u hodhën në sulm deri në fund dhe krijuan disa raste, por portieri Turati ishte fantastik. Në fund gjithçka mbyllet 2-2, me Sassuolon që i jep një shans të artë Interit për të marrë kreun.