Lëndimi i Demiral e ktheu atë përsëri në rrugën e duhur, pas disa pankinave, që shkaktuan njëfarë sensacioni mediatik. Matthijs De Ligt ka marrë pozicionin e fillimit të sezonit, në qendër të mbrojtjes së Juventusit, duke bërë edhe paraqitje të shkëlqyera, përfshirë ndeshjen e fundit kundër Parmës.
I intervistuar nga “Tuttosport”, holandezi iu referua gabimeve të fillimit të sezonit, që e vendosën atë në “syrin e ciklonit”. Këto janë deklaratat e tij: “Është gjithçka normale. Nëse do të kisha qenë në rolin e një tifozi, edhe unë do të zemërohesha me gabime të tilla. Por, si lojtar, këto janë probleme që nuk duhet të më mbajnë peng. Unë thjesht duhet të mendoj për të punuar, si të përmirësohem. Mundohem të kuptoj nëse jam duke përparuar apo jo. Sigurisht, jam i lumtur me mënyrën se si kanë kaluar gjashtë muajt e parë te Juventusi. Po ashtu, jam i bindur që ndeshje pas ndeshje do të bëhem edhe më i mirë”.
De Ligt ka shumë për të mësuar nga një senator si Giorgio Chiellini, ndikues në rritjen e ish-yllit të Ajax, falë disa këshillave të vlefshme për të: “Unë fola me Chiellini-n. Ndonjëherë jam pak impulsiv, por ai më bëri të kuptoj menjëherë se shpesh është më mirë të luash me kokë se me këmbë… Unë, gjithashtu, po mësoj shumë nga Bonucci. Është një nder për mua, që kam partnerë të tillë. Në fakt, nga të gjithë shokët e skuadrës mund të mësoj shumë. Juventusi ka një grup lojtarësh me të vërtetë të mrekullueshëm. E di mirë se të gjithë janë të gatshëm të më ndihmojnë”.
Holandezi ka vetëm duartrokitje për Cristiano Ronaldo. Portugezi ka qenë në gjendje të shënojë 11 gola në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit: “Ne e njohim mirë, Ronaldo është një lojtar i mrekullueshëm. Mbaj mend që deri para disa muajsh ishte kritikuar rëndë, por ai ishte në gjendje t’i heshtte të gjithë. U rikuperua nga një moment jo aq i mirë dhe tani po provon se është absolut. Unë jam shumë i lumtur për Cristianon”.