Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga mënyra se si funksiononte grupi i grabitësve të parave të bankave, të cilët terrorizuan Qafë Kasharin të enjten e kaluar dhe dy vjet më parë po këtë rrugë pranë Rinasit, duke grabitur dy blinda me para.
“Report TV” raporton se Fation Xhyliu i cili u arrestua i pari, tregoi anëtarët e tjerë të grupit, vendin ku fshiheshin paratë dhe numrat e telefonit që përdorte banda.
Sipas burimeve, Xhyliu deklaroi se inskenonin grabitjet dhe përgatiteshin për 2 muaj.
“Grupi inskenonte grabitjet gjatë natës kur aksi ishte pa lëvizje”, informon “Report Tv”.
Ndërkohë, dy nga 4 autorët e dyshuar të grabitjes së makinave të blinduara që transportonin 3. 2 milionë dollarë rrugës për në Rinas, Ditjon Memlika dhe Fation Xhyliu janë lënë në burg.
Ata u njohën me masën e sigurisë sot, rreth orës 13:30 në Gjykatën e Tiranës.
I pari që doli në Gjykatë është Fation Xhyliu, i cili gjatë seancës është shprehur i penduar për ngjarjen.
Ndërsa Ditjon Memlika nuk ka folur në gjykatë.
Avokatët mbrojtës të të pandehurve kanë kërkuar kohë për tu njohur me materialet e referuar për dy të akuzuarit.
Xhyliu është i martuar dhe me një fëmijë 4 vjeç.
Për dy të arrestuarit e tjerë, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa masa e sigurisë pritet të jepet nesër.