Aktualitet Detaje nga plagosja e efektivit në Tiranë, u qëllua me dy plumba...

Detaje nga plagosja e efektivit në Tiranë, u qëllua me dy plumba në bark, ndërsa po ndiqte të dyshuarin  

Një efektiv i repartit “Shqiponja” mbeti i plagosur me armë zjarri pasditen e kësaj të mërkure në Tiranë. Ngjarja ndodhi në rrugën “Hysen Gjura”, në zonën e Kinostudios.

Ministria e Brendshme tha se ngjarja ndodhi gjatë kohës që patrulla e policisë po ndiqte një person të dyshimtë.

Ishte pikërisht ky person, identiteti i të cilit momentalisht nuk dihet, i cili hapi zjarr në drejtim të efektivëve, duke plagosur njërin prej tyre.

Efektivi Edlir Alleshi mësohet se ka marrë dy plumba në zonën e barkut dhe ndodhet aktualisht në spital, në sallë të operacionit.

“Ndërsa Policia e Shtetit vijon kontrollin për personat në kërkim, një patrullë e repartit “Shqiponja” në ndjekje të një personi të dyshimtë është qëlluar nga ky person dhe për pasojë ka mbetur i plagosur punonjësi i policisë Edlir Alleshi Punonjësi i Policisë është në sallën e operacionit ndërsa Policia është vënë në ndjekje të autorit”, tha Ministria e Brendshme në reagimin e saj për mediat.

Efektivi i plagosur po lëvizte me motor, kur u qëllua me armë.

Një reagim për ngjarjen pati edhe Policia e Tiranës, e cila tha se po punon për kapjen e autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, që paraprakisht raportohet se lëvizte me makinë.

“Në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi kanë marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, janë vënë në ndjekje të personit të dyshuar. Gjatë ndjekjes, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur një prej efektivëve, inspektor E. A., i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.

Në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur”, deklaroi policia e Tiranës.