Aktualitet Detaje të reja nga ekzekutimi i Delion Troqes, pista ku po heton...

Detaje të reja nga ekzekutimi i Delion Troqes, pista ku po heton policia

Detaje të reja janë mësuar nga ekzekutimi i ndodhur mbrëmë në qytetin e Vlorës. Viktima Delion Troqe, është qëlluar disa herë me kallashnikov dhe ka marrë 10 plumba në kraharor dhe kokë.

Atentati ndaj Troqes ka qenë fatal, pasi ai nuk mundi t’u shpëtonte plagëve të marra dhe pse u dërgua menjëherë në spital.

Deri tani janë shoqëruar 18 persona, të cilët mund të hedhin dritë mbi dinamikën e atentatit.

Autoritetet kanë nisur hetimet lidhur me këtë ngjarje dhe deri tani pista kryesore është ajo e konflikteve që viktima mund të ketë patur në Spanjë, vend në të cilin jetonte vitet e fundit.

Ekzekutimi 38-vjeçarit ndodhi në zonën e Skelës pranë Pallatit të Sportit në pjesën e pasme të një servisi. Autorët pas ngjarjes u arratisën drejt fshatit Kaninë dhe pak minuta më vonë ata dogjën makinën, në të cilën u gjetën 2 kallashnikov.

Delion Troqe kishte vetëm pak ditë që ishte rikthyer nga Spanja. Më parë ai kishte qenë i dënuar për drogë, ndërsa gjatë verës kur kthehej nga Spanja punonte me skaf me turistët në rivierën e Jugut.